Cilësitë e pëlqyeshme të gruas e cila kërkohet për martesë
Qëllimi dhe urtësia e martesës është arritja e kënaqësisë së ndërsjelltë midis mashkullit dhe femrës, si dhe formimi i një shoqërie të zellshme e i një familjeje të shëndetshme. Duke u nisur prej kësaj, themi se një grua e mirë me të cilën preferohet martesa, është pikërisht ajo femër e cila më së miri do të mundësonte përmbushjen e këtyre dy qëllimeve. Bëhet fjalë për femrën e bukur fizikisht dhe shpirtërisht.
Për sa i përket bukurisë fizike, në të bën pjesë përkryerja e formimit të jashtëm të saj. Kjo për shkak se gruaja nëse është simpatike dhe mendjemprehtë, atëherë syri kënaqet dhe përqendrohet tek ajo, veshi çlodhet me dëgjimin e shprehjes së intelektit të saj, zemra lumturohet, kurse shpirti gjen prehje dhe qetësi, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), në mënyrë që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” [Er-Rum, 21]
Ndërsa bukuria shpirtërore është përkryerja e saj nga ana e moralit dhe fesë. Sa më e devotshme të jetë bashkëshortja nga ana e besimit dhe sa më e dëlirë moralisht, aq më e dashur është për bashkëshortin e saj, e sidomos pasi që dihet mirë se këto cilësi janë një tregues i qartë për një të ardhme të lumtur. Gruaja besimtare, i kushton rëndësi parësore dispozitave të Allahut. Ajo i njeh mirë detyrimet që ka ndaj bashkëshortit të saj, i ruan të drejtat e tij, e ruan nderin karshi atij, përkujdeset për pasurinë e tij dhe për mbarëvajtjen e fëmijëve të tij. Ajo e ndihmon bashkëshortin e saj për bindje dhe devotshmëri ndaj Allahut të Madhëruar. Nëse ai shpërkujdeset, ajo e përkujton atë. Nëse plogështohet, e motivon atë dhe nëse ai zemërohet, ajo nxiton që ta kënaqë.- E njëjta gjë vlen edhe për bashkëshortin.
E tillë është gruaja e virtytshme, e dashur për bashkëshortin e vet, e respektueshme ndaj tij; nuk vonohet në kryerjen e asaj që ai e dëshiron shpejt dhe nuk ngutet në atë gjë që ai e do të ngadaltë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të) është pyetur se cilat gra janë më të mirat, dhe ai ka thënë:
“Ajo e cila e kënaq bashkëshortin e vet kur e shikon, i bindet kur e urdhëron, e ruan nderin e saj karshi tij dhe pasurinë e tij nuk e shpërdoron.” (E transmeton Ahmedi dhe En-Nesai)
Gjithashtu i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të) ka thënë:
“Martohuni me ato që janë të dashura, të cilat lindin fëmijë, sepse unë do të krenohem me numrin tuaj para profetëve” apo ndoshta tha: “para popujve.” (E transmeton Ebu Daudi dhe En-Nesai)
Nëse burri arrin të martohet me një femër të bukur fizikisht dhe shpirtërisht, kjo do të ishte për të një mirësi e përkryer; burim i lumturisë së pashtershme, e shoqëruar kjo me suksesin e Allahut të Madhëruar.
Shkëptur nga libri “MARTESA
dhe detyrimet qw lindin prej saj”
Autor: Muhamed bin Salih El-UTHEJMIN