Clinton dhe Ashton, në mbrëmje në Prishtinë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka nisur një turne në Ballkanin perëndimor. që synon nxitjen e reformave ekonomike dhe demokratike në rajon i cili vuan nga tensione etnike.
Clinton mbërriti në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës, të hënën vonë. Në Sarajevë ajo dhe sekretarja e Bashkimit Evropian për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, do të takohen me anëtarët e presidencës së Bosnjës për të diskutuar edhe mbi çështjet e buxhetit, qeverisjes dhe privatizimit të pronës shtetërore.

Përparimi i Bosnjës pas luftës etnike trevjeçare të viteve 1990 ka qenë i ngadalshëm, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve mes 3 grupeve më të mëdha etnike të vendit.

Më vonë të martën, sekretarja Clinton dhe sekretarja Ashton do të udhëtojnë për në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd dhe të vazhdojnë udhëtimin për në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, transmeton QIK.

Zyrtarët e BE-së janë duke i bërë thirrje Beogradit që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, të cilat kanë qenë të paqëndrueshme që kur shqiptarët e Kosovës shpallën pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera e njohin pavarësinë e Kosovës, por pakica serbe e vendit, dhe vetë Serbia, refuzojnë ligjshmërinë e qeverisë së Kosovës.

Në kryeqytetin e Kroacisë, në Zagreb, sekretarja Clinton do të përshëndesë anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm.

Nga Zagrebi sekretarja Clinton shkon në Tiranë.

Gjatë lëvizjes së eskortës së delegacioneve mund të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut me kohëzgjatje prej 3 deri 5 minuta në rrugët nga Aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë në drejtim të Prishtinës dhe në disa rrugë ne brendi të kryeqytetit.

Policia e Kosovës në të gjitha rastet do të beje riorientimin e trafikut në të gjitha rrugët alternative. Për këtë Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin nga të gjithë qytetarët e në veçanti nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Artikulli paraprakProgramet synojnë të kthejnë rrjedhjen e trurit
Artikulli vijuesAzem Vllasi: Jam truri i protestave të minatorëve të vitit 1989 (video)