Programet synojnë të kthejnë rrjedhjen e trurit

Qeveria, OJQ-të dhe bizneset ofrojnë programe për të trajnuar dhe punësuar të rinjtë.

Vendet që nga Turqia në Evropën Juglindore po ndeshen me sfidën e mbajtjes së talenteve të reja nga kërkimi i karrierës gjëkundi tjetër dhe për t’i bindur ata që kanë mbetur të kthehen.

Qeveritë dhe organizatat në disa vende po përdorin një variacion nismash për të luftuar atë që disa analistë i referohen si një rrjedhje e trurit.

Zyrtarët në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) për shembull, kanë shpresë se programet e institucionalizuara kohët e fundit për të trajnuar të rinjtë dhe për t’i mbështetur ata në gjetjen e punësimit do të japin frute shpejt, ndërsa disa tregtarë në Serbi dhe Turqi po ofrojnë nisma për të joshur punonjësit që kanë shkuar jashtë që të kthehen në atdhe.

“Dhjetë mijë të rinj kanë ndjekur Programin e Punësueshmërisë dhe të Ruajtjes së Rinisë dhe më shumë se 400 prej tyre gjetën një punë pas trajnimit,” i tha SETimesAlma Sunje, një nga bashkëdrejtuesit e Zyrës Ndërkombëtare të Migracionit.

Agjencitë qeveritare të BiH dhe OJQ-të nisën programin dy vjet më parë dhe kanë hapur që atëherë 16 qendra anembanë vendit në të cilat ofrohen kurse pa pagesë të anglishtes dhe shkencës së kompjuterit, përveç këshillave për punësimin.

BiH dhe Serbia janë prekur më shumë nga rrjedhja e trurit ndonse i gjithë rajoni mund të jetë një shembull për problemin, sipas Raportit vjetor të Konkurrueshmërisë të Forumit Ekonomik Botëror që mbulon 144 vende.

Më shumë se 130,000 të rinj janë larguar nga BiH që nga fundi i konfliktit më 1995 dhe rreth 300,000 të rinj janë larguar nga Serbia në dy dekadat e fundit.

Disa firma private të tilla si Coca Cola Hellenic, një nga kompanitë më të mëdha rajonale, ka nisur programet që kanë për qëllim të mbajnë të rinjtë në Serbi.

“Coca Cola Talent është një program nëpërmjet të cilit ne zgjodhëm shtatë nxënës për trajnim dhe bursë shkolle dhe për punësim në fund të programit,” i tha SETimesNatasha Prodanoviç, drejtore e burimeve njerëzore në Coca Cola Hellenic në Serbi dhe Malin e Zi.

Prodanoviç tha se kompania e saj ka një buxhet të madh për trajnimin personal dhe jep bursa për Fakultetin e Shkencave Organizative në Beograd.

“Ne gjithashtu kemi një numër programesh të tjera nëpërmjet të cilave inkurajojmë njerëzit të qëndrojnë dhe t’ia dalin në Serbi,” tha Prodanoviç.

Firmat turke, të tilla si Industritë Turke të Aero-hapësirës kanë shkuar një hap më tej, duke prodhuar programe të “fitimit të trurit” që kanë për qëllim të joshin të rinjtë e edukuar turq të kthehen nga vendet jashtë ku punojnë aktualisht.

Ekonomia turke ka rregjistruar rritje të lartë në vitet e fundit dhe ndonëse norma e papunësisë për të rinjtë është ende e lartë, më shumë se 40 përqind , ajo ka rënë vazhdimisht.

“Ne besojmë në kthimin e traditës së ikjes së trurit duke tërhequr shtetasit turq që kanë ndjekur nga afër shpikjet teknologjike dhe organizative [jashtë], kanë aftësi informacioni dhe përvojën e duhur për ekonominë dhe prodhuesit e vendit tonë, për të bërë një dallim,” i tha SETimesOja Tansu, drejtore e Industrive Turke të Aero-hapësirës.

Paga dhe standarte mbi mesatare, çmime dhe shpërblime, sigurime private si dhe sigurime sociale, janë disa nga nxitjet që ofron kompania.

Tansu tha se informacioni është në dispozicion në faqen në internet të kompanisë dhe çdo inxhinier i specializuar në aero-hapësirë mund të aplikojë drejtpërsëdrejti.

Disa janë skeptikë se në shoqëritë e prekur keq nga kriza ekonomike, programet e fitimit të trurit do të bëjnë shumë dallim.

“Unë kisha mundësinë të shihja se si programi i ‘fitimit të trurit’ funksionon ndërsa isha në SHBA,” i thaSETimesBoris Tihi, profesor i ekonomiksit në Universitetin e Sarajevës.

“SHBA i fton studentët të përfundojnë arsimin e tyre atje, u jep bursa, ofron të gjitha kushtet e nevojshme. Puna e vetme e studentëve është të mësojnë. Natyrisht, pas kësaj, studentët nuk kanë dëshirë të kthehen në BiH,” tha Tihi.

“Për të tilla programe, na duhet kohë dhe para. Për fat të keq nuk kemi para apo kohë.”/set

Artikulli paraprakKritikët bëjnë thirrje për mbikqyrje më të fortë të transmetimit në Kosovë
Artikulli vijuesClinton dhe Ashton, në mbrëmje në Prishtinë