Clinton merr përgjegjësinë për vdekjet në Ambasadën në Libi

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton deklaron se merr përsipër përgjegjësi të plotë për dështimin në sigurimin e konsullatës amerikane në Bengazi, ku muajin e kaluar humbi jetën ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Libi.
Clinton deklaroi se garantimi i sigurisë për stafin diplomatik të SHBA ishte detyra e saj dhe jo e Shtëpisë së Bardhë. Deklarata vjen në prag të debatit të dytë elektoral mes presidentit Barack Obama dhe kandidatit republikan Mitt Romney. Në tërësi, katër shtetas amerikanë humbën jetën kur konsullata amerikane në Bengazi u sulmua.

“Ajo që duhet të bënim në Departamentin e Shtetit ishte të mbeteshim të përqendruar jo mbi këndvështrimin përse diçka ndodhi, kjo është detyrë e shërbimeve të inteligjencës, por çfarë po ndodhte dhe çfarë mund të ndodhte”, tha Clinton për televizionet amerikane.

“Dhe unë për këtë po punoja, ditë e natë, për t’u siguruar se kishim ndërhyrë bashkë me qeveritë. Ne bëmë gjithçka që mundëm për të ruajtur njerëzit tanë, që është përgjegjësia ime parësore”, shtoi Clinton, transmeton TCH.

Administrata Obama është përballur me një valë kritikash për sulmin ndaj konsullatës në Bengazi. Republikanët po i vënë fajin asaj, në veçanti Shtëpisë së Bardhë për atë që ndodhi muajin e kaluar, thotë korrespondenti i BBC në Uashington.

Sipas reporterit, në intervistat e dhëna është dukur se zonja Clinton ka lënë të nënkuptohet se po përpiqet të mbrojë presidentin Barack Obama.

Kur debati i ardhshëm mes zotit Obama dhe sfidantit të tij është vetëm pak orë larg, duket se zonja Clinton po përpiqet të largojë kritikat nga kreu i shtetit, i cili duhet të bëjë një performancë të fortë për të rekuperuar udhëheqjen në sondazhe. /Telegrafi/

Clinton tha më tej se është e përqendruar në gjurmimin e vrasësve të ambasadorit amerikan në Libi dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Artikulli paraprakProvokimet antishqiptare u kushtojnë 5 serbëve me rrahje dhe therje
Artikulli vijuesJakup Krasniqi denoncon në “Shqip”