Greqi, Fiter Bajrami festohet mes frikës

Në një klimë frike prej sulmeve të njëpasnjëshme me motive raciste kanë festuar muslimanët edhe në Athinë festën e Fiter Bajramit.

Ndërsa vendi kalon krizën më të thellë ekonomike në historinë e tij përmes një recesioni që thellohet cdo ditë dhe nivelit rekord të papunësisë, emigrantët muslimane, sidomos ata nga vendet aziatike dhe afrikane, janë përballur në gjashtë muajt e fundit, me më shumë se 500 sulme raciste. Në këtë ditë të shenjtë Sekretari i Përgjithshëm i Unionit të Emigrantëve të Greqisë ka bërë thirrje për tolerancë.

“Ne emigrantët, sidomos pakistanezët, kemi qenë objektiv në dy-tre vitet e fundit, për grupe të caktuara fanatike, si Agimi i Artë. Ata na kanë rrahur, ose duke hyrë në shtëpitë tona, ose sa herë që na gjejnë në rrugë, na rrahin pa asnjë arsye. Tani, kohët e fundit dhuna është bërë më e rrezikshme, më e ndjeshme pasi ata kanë filluar të hyjnë në vendet tona të adhurimit, xhamitë tona. Unë nuk e di se çfarë lloj mesazhi duan ata të japin , por unë jam duke e bërë një lutje: Ne duam dialog, duam të bisedojmë!”, thotë Syed Mohammad Jamil, Sekretari i Përgjithshëm i AKP.

Komunitetet e muslimaneve në Greqi janë të detyruar të mblidhen për t’u falur në stadiume apo vende të vogla të improvizuara në Athinë, i vetmi kryeqytet i BE pa nje xhami apo një varrezë për këtë pjesë të shoqërisë, që numëron më shumë se 700 mijë vetë, shumica emigrantë të huaj, prej të cilëve më shumë se gjysma jetojnë në kryeqytet.

E vetmja xhami në Greqi, ekziston në qytetin kufitar verior të Trakës, pranë Turqisë, ku jeton minoriteti musliman prej 100.000 banorësh.

Megjithë vendimet e qeverive të mëparshme në bashkëpunim me bashkinë e Athinës, qysh prej vitit 2004 për ndërtimin e një xhamie në lagjen Peania, ende nuk është bërë asgjë, pasi ka pasur reagime të mëdha nga banorët lokale, të cilët sapo dëgjuan vendimin, vendosën një kryq të madh druri në pjesën e përcaktuar për ndërtimin e xhamisë. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakRastësi apo inteligjencë?
Artikulli vijuesPritje të gjata në Merdare