Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE), i Parlamentit Evropian pritet pasditen e sotme të votojë për liberalizim të vizave për Kosovën, një hap përpara se Parlamenti Evropian të vendosë nëse qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.
Lidhur me këtë, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka thënë për Telegrafin se votimi pozitiv i sotëm nga ana e LIBE-së, do të lejonte që ky proces të ecë përpara.
“Besoj se të gjithë janë të vetëdijshëm se cilat janë kërkesat e institucioneve të BE-së, përfshirë këtu edhe Parlamentin Evropian por duke qenë që ky votim nuk është përfundimtar, shpresoj dhe pres që eurodeputetët të tregojnë mbështetjen e tyre në këtë fazë. Kjo do të ishte me ndihmëse që procesi të ecën përpara”, u shpreh Çollaku.
Ai më pas ka sqaruar procedurën e votimit të sotëm, duke thënë se vendimi përfundimtar merret nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Së pari mendoj se ekziston një konfuzion në lidhje me këtë votim të sotëm në komisionin e Parlamentit Evropian për të drejtat civile, drejtësi dhe punë të brendshme (LIBE), gjë që nuk është për tu habitur sepse procesi i vendimmarrjes në BE nuk është fare i thjeshtë. Votimi pozitiv i sotëm do të lejonte që ky proces të ecën përpara, por nuk është vendim përfundimtar i Parlamentit Evropian sepse duhet të ndodhë në një seancë plenare të mëvonshme të Parlamentit Evropian. Pasi që të përfundohen procedurat në kuadër të Parlamentit Evropian, pastaj duhet edhe pëlqimi i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshillin të BE, për të miratuar propozimin e Komisionit Evropian për Liberalizim të Vizave”, tha Çollaku.
Votimi në Komitetin LIBE qe paraparë të bëhej në korrik të këtij viti, por u shty për 5 shtator, me shpresën se politikanët e Kosovës do të arrijnë një pajtueshmëri për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi,.
Mirëpo javën që lamë pas në Kuvendin e Kosovës u pezullua votimi për marrëveshjen me Malin e Zi, meqë qeveria e Kosovës e tërhoqi projektligjin e saj me arsyetimin e “mungesës së kushteve”.
Duke pasur parasysh, se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi ka qenë edhe njëri ndër kushtet e BE-së, që Kosova ka qenë dashur ta përmbushë për procesin e liberalizimit, ministri Çollaku ka theksuar se edhe pse nuk është përfunduar , kjo nuk duhet të paraqet pengesë në votimin e sotëm.
“Në udhërrëfyesin e Komisionit Evropian nga ne është kërkuar që të bëjmë një “përpjekje” për të përfunduar demarkacionin me Malin e zi , dhe kjo është konkretisht çka kemi bërë, besoj se askush nuk ka dyshimin më të vogël në këtë drejtim. Ne po ashtu jemi të vetëdijesohem që përgjatë procesit ka evoluar edhe qasja e Komisionit Evropian duke kërkuar përpjekje shtesë nga ana e Kosovës dhe në muajin Maj kur është rekomanduar për liberalizimin e vizave për Kosovën, Komisioni Evropian ka kërkuar qartazi që kjo marrëveshje të ratifikohet para se qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Prandaj përkundër faktit se ende nuk është ratifikuar kjo marrëveshje, ky fakt nuk duhet të paraqet domosdoshmërisht pengesë për votimin e sotëm”, ka thënë Çollaku.
Ai ka theksuar se votimi i sotëm konfirmon se procedurat e vendimmarrjes në institucionet e BE-së po vazhdojnë dhe do të duhet të shërbej si një inkurajim që edhe ne të vazhdojmë me përmbushjen e vazhdueshme të obligimeve për përmbylljen me sukses të procesit të liberalizimit.
I pyetur rreth asaj çfarë do të ndodh në rast se LIBE-ja nuk voton pro liberalizimit për Kosovën, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku tha se “nuk dëshiroj të spekuloj për rezultatin e sotëm, ne vetëm mund të ritheksojmë përkushtimin tonë për reformat dhe përmbushjen e kërkesave në kuadër të këtij procesi, por edhe agjendës tonë evropiane më përgjithësisht”.
Çollaku ka shtuar se beson dhe pret nga BE-ja që të trajtoj qytetarët e Kosovës njësoj sikur qytetarët e shteteve fqinjë, sepse sipas tij përfundimisht kemi të bëjmë me kredibilitetin e vet BE-së, qëndrueshmërinë e reformave dhe perspektivën evropiane që është e lidhur me stabilitetin.
Kosova është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave, pavarësisht se udhëheqësit e institucioneve të vendit kanë paralajmëruar fundin e vitit si mundësinë e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.