Ç’thuhet në transkriptin e intervistimit të Pacollit në polici

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Begjet Pacolli, ka konfirmuar se Astrit Haraqija i ka kërkuar 3 milionë e 600 mijë euro për t’i ndihmuar në çështjen e “Grandit”, por ka “shpërlarë” nga afera e kërkimit të parave deputetët Ukë Rugova, Naser Osmani dhe biznesmenin Gazmend Abrashi.

Pacolli që është në një koalicion qeverisës me Rugovën dhe Haraqinë në një deklaratë për media të lëshuar të enjten ka konfirmuar pjesën më të madhe të asaj që ka shkruar “Koha Ditore” duke e akuzuar edhe njëherë Haraqinë se i ka kërkuar para.

“Astrit Haraqia m’i ka kërkuar 3.6 milionë euro për të zgjidhur problemin e ‘Grandit’ në favor të së drejtës. Unë i kam thënë po ashtu se jam zëvendëskryeministër i Kosovës, dhe nuk dua të merrem me këto probleme dhe se unë nuk jam as njeriu i duhur, nuk është as vendi i duhur, ku mund të bisedohet për këtë”, ka thënë Pacolli në këtë deklaratë. “Dua ta sqaroj, po ashtu, se u kam thënë hetuesve se në momentin kur Astrit Haraqija ka bërë kërkesën për para, zotëri Ukë Rugova ka qenë jashtë dhomës”.

Pacolli ka deklaruar po ashtu se Naser Osmani nuk i ka kërkuar para, derisa Gazmend Abrashi e ka ndihmuar profesionalisht në përgatitjen e dokumenteve.

Qortimin më të madh ai i ka bërë Policisë dhe Prokurorisë duke i akuzuar për mosfunksionim dhe nxjerrje të informatave të klasifikuara, siç ka thënë ai.

“Koha Ditore” ka raportuar të enjten për aferën e kërkimit të parave duke siguruar dëshmitë e Pacollit dhe Remzi Ejupit të dhëna në Polici lidhur me kërkimin e parave nga ana e atyre që ishin identifikuar nga Ejupi si “sekserë të Dino Asanajt”.

(…)

“Koha Ditore” sjell transkriptin e intervistës së zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në Policinë e Kosovës

Dëshmitarit pasi iu lexuan të drejtat e tij ai në lidhje me rastin deklaron:

(…)

Saktësisht në muajin mars mua me telefonon Naser Osmani, i cili kërkon të më takoj rreth çështjes së “Grandit”, edhe pse unë i thashë që për çështje të tilla të takohet më vëllanë tim Selimin. Ai insistoi të më takoj personalisht mua. Për këtë takim ai ka kërkuar ta aranzhojë edhe përmes Myzejene Selmanit. Unë u takova me të në hotelin “Swiss Diamond”. Në këtë takim isha vetëm unë dhe ai pasi që insistoi që të mos jetë askush tjetër prezent. Në këtë takim m’u prezantua si kryetar i Komisionit për çështjen e “Grandit” dhe i ka ardhur momenti që ky problem të zgjidhet. Më tha se e kuptojnë se edhe ne jemi aksionarë dhe thotë se u ka thënë edhe anëtarëve tjerë të Bordit në AKP se ju jeni i vetmi që mund ta zgjidhni këtë problem. Për këtë më thotë se nevojiten një mori dokumentesh dhe garancioni bankar si dhe është kusht që ju “personalisht unë” duhet që të takoj kryetarin Dino Asanaj…

Në këtë kohë Naseri ka insistuar përmes Myzejinit që unë ta thërras, por unë gjithmonë kam insistuar që ai të bisedojë me Selimin. Unë kam refuzuar çdo takim me Dinon…

Pyetje: A e ju ka kontaktuar ndonjëherë juve personalisht Astrit Haraqija për të biseduar rreth çështjes së “Grandit”, ju lutem sqaroni kohën, vendin dhe arsyen e takimit.

Përgjigje: Në muajin prill fillon të më telefonojë dhe të kërkojë takim me mua personi Astrit Haraqia, i cili kërkon që së bashku me Ukë Rugovën të vijnë tek unë në takim. Unë në sms të tij që m’i dërgon nga numri 045 – 509… nuk i përgjigjem, por ai vazhdon që të insistojë dhe unë për shkak të respektit ndaj familjes së Ukës pranova që t’i takoj një mbrëmje në shtëpi timen. Këtë takim e di se është mbajtur më datë 25 prill 2012 dhe atë në orë të vona dhe atë me insistim të tij që duhet të takohet me mua pa marrë parasysh kohën (datën e di nga sms që e kam ende të ruajtur). Në orët e mesnatës tek unë në shtëpi kanë ardhur Astrit Haraqija dhe Ukë Rugova…

e kam pyetur Astritin se çfarë është në pyetje për këtë takim kaq me nguti në këto orë të vona, kurse ai m’u përgjigj se “njerëzit janë duke pritur sonte që të kryhet puna e “Grandit”, por kërkohet që në mënyrë që ky problem me sonte të zgjidhet atyre t’u paguhen tre milionë e gjashtëqind mijë euro (3.600.000) euro…koha/kohaislame

Artikulli paraprakBeogradi dhe Prishtina ishin afër marrëveshjes për kodin telefonik
Artikulli vijuesRegjisori izraelit i filmit antiislam mbron veprën e tij