PAGA E PRESIDENTES, 52 HERË MË E LARTË SE NJË PENSION

Përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pensioneve bazë prej 40 %, ato vazhdojnë të jenë tepër larg pagave të zyrtarëve të vendit, të cilët marrin dhjetëra herë paga më të larta se pensionistët. Me këtë vendim pensioni bazë arrin në vlerë prej 60 euro, ndërsa ai kontributdhënës në 112 euro.

Me një përllogaritje të vogël, i bie që presidentja e vendit, Atifetja Jahjaga, e cila ka pagën mujore prej 3123 euro, merr 52 herë merr më shumë se një pension bazë, ndërsa 27 merr më shumë se një pension kontributdhënës.

Nuk dallon shumë as kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, i cili ka pagën mujore prej 2700 euro. Nga kjo del se kreu i Kuvendi merr 45 herë më shumë se sa një pension bazë, ndërsa 27 herë më shumë se sa pension kontributdhënës.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi i cili ka pagën mujore prej 1440 euro, i bie që merr 24 herë më shumë se një pension bazë, ndërkaq 12 herë më shumë se një pension kontributdhënës. Ky i fundit ka proceduar Projektligjin për pagat e funksionarëve publik në Kuvend që pritet së shpejti të miratohet më së largu javën e ardhshme.

Atij paga nga 1440 do të i shkoj në 2 322 euro, apo për rreth 882 euro më shumë.

Nga kjo del se ai pritet që të marr 38 herë më shumë se një pension bazë, ndërsa 20 herë më se një pension kontributdhënës.

Ajo që vlen të thuhet asnjë nga liderët në rajon nuk i kanë pagat më të larta se të liderëve të vendit, por të gjitha shtetet në rajon kanë pensionet më të larta se sa në Kosovë.

Megjithë këto dallime kaq të theksuara, si askund tjetër, kryeministri vazhdon të ndihet krenar dhe të vlerësoj vendimin e fundit si historik për vendin.

Ai këtë e shfaqi edhe në takimin që ka zhvilluar të premten me një delegacion të pensionistëve të udhëhequr nga Shaban Kajtazin, kryesues i pensionistëve të Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marr vendim për rritjen e pensioneve kontribut paguesve në total në lartësi deri në 40 %.

Me këtë rast, ai ka thënë se ky vendim ka ardhur pas konsultave me këtë kategori, ndërkohë nuk ka harruar t’u jap sërish premtime atyre.

“Vendimi i radhës ka qenë që të nxirret për rritjen e pensioneve kontributdhënës në lartësi deri në 40 % prandaj jemi sot këtu bashkë. Jemi konsultuar ngushtë, kemi bashkëpunuar tepër ngushtë, kemi marr këshillat dhe rekomandimet edhe të pensionistëve të Kosovës, prandaj dëshiroj të theksoj se kjo nuk është rritja e fundit gjatë këtij mandati për pagat e punëtorëve kosovar dhe pensionistëve të Kosovës. Do të jemi shumë të përgjegjshëm që të respektojmë kontributin e jashtëzakonshëm të pensionistëve të Kosovës në shtetndërtues të lirisë pavarësisë, zhvillimit të vendit. Është një kontribut i jashtëzakonshëm dhe historik dhe natyrisht se institucionet e Kosovës gjithmonë do të kenë obligime shtetërore ndaj tyre”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë që Ligji për pensione të plotësohet me nevojat dhe kërkesat e pensionistëve të Kosovës.

Ndërkohë, Shaban Kajtazi, kryesues i pensionistëve të Kosovës ka qenë i kënaqur me këtë rritje që është bërë.

“Ne sot patëm një mikpritje të ngrohtë të kryeministrit dhe një mirëkuptim dhe ne i shprehëm falënderim Qeverisë së kryeministrit për mirëkuptim të vështirë të kësaj pozite të pensionistëve që ka ekzistuar deri më sot. Ne besojmë, kemi pas besim dhe kemi edhe më tutje. Na u ka dhënë shpresa, na u ka rrit shpresa që çështja e pensionistëve kontributpagues edhe kategorive të tjera do të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, ka theksuar Kajtazi.

Kryeministri ka dhënë edhe të dhënat në detaje se si janë rritur pensionet. Ai ka thënë se rritja e pensioneve kontributdhënëse është 40 %, lartësia prej 26.25 % do të paguhet shfrytëzuesve që nga data 1 janar 2012, ndërsa lartësia tjetër e këtij pensioni do të paguhet nga data 1 janar 2013.

Gjithashtu, rriten pensionet bazë në total prej 33.3 % lartësia prej 11.1 % e rritjes së këtij pensioni do të paguhet shfrytëzuesve nga data 1 janar 2012, ndërsa lartësia tjetër e këtij pensioni do të paguhet që nga data 1 janar 2013.

Janë rritur pensionet e aftësisë së kufizuar prej 33.3%, lartësia prej 11.1 % e rritjes së këtij pensionit do të bëhet që nga data 1 janar 2012, ndërsa lartësia tjetër e rritjes së këtij pensioni do të paguhet nga data 1 janar 2013.kohaislame

Artikulli paraprakKOSOVA NË KRIZË
Artikulli vijuesPër Kroacinë, pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur