DASHURIA PËR NËNËN NATYRSHMËRI

Pozita e prindërve në fe është e lartë. Respekti për ta është në një vijë me respektin për Allahun, sikur që kundërshtimi i tyre është llogaritur ndër mëkatet më të mëdha. Kjo për faktin se borxhi ynë ndaj prindërve është i madh ndërsa në raport me nënën edhe i pashlyeshëm. Për këtë shkak, respekti për ta është urdhëruar ngase fitimi i dashurisë së tyre është rrugë që nuk të shpie vetëm se në Xhennet.
Interesante është edhe puna e fëmijëve që janë më shumë të lidhur me nënën se sa me babanë, madje, dashuria e tyre e pastër, në disa raste krijon edhe skena që vështirë se mund të harrohen. Një nga këto skena është dhe ajo që një thirrës i ri turk e përmend në një prej ligjëratave të tij. Ai rrëfen për një hoxhë, i cili ua mësonte nxënësve edukatën dhe kulturën fetare. Një ditë, për t’i vënë në provim praktik se sa dhe si e kanë kuptuar edukatën fetare, kërkon prej tyre që të nesërmen secili nga nxënësit të sillte diç që ka vlerë shumë të madhe për ta, apo gjënë më të shtrenjtë që kishin. Nxënësit, duke qenë se ishin ende të vegjël, sollën gjëra të ndryshme, por çudia ishte me një djalosh, që kishte sjellë një mindil – faculetë.
Athua vallë, çfarë vlerë kishte faculeta për këtë fëmijë?!
Ose, mos vlera e saj fshihej në atë që ishte brenda saj, e që vërehej nga ashte pasi që faculeta ishte disi e fryrë?
Habia ishte edhe më e madhe kur u hap faculeta dhe Hoxha pa një grusht dhe në të.
Çfarë është kjo?! Ç’vlerë ka kjo për ty?! – e pyeti nxënësin me habi.
Këta është dhe Xhenneti – iu përgjigj fëmija.
O Zot, e si e more kështu? Ku e more?
Hoxhë i nderuar, a nuk keni thënë se Xhenneti është nën këmbët e nënës – duke aluduar në hadithin [që është i dobët]: “Xhenneti është nën këmbët e nënës!”
Po – iu përgjigj Hoxha.
Atëherë, nëse është puna ashtu, unë këta dhe e kam marrë prej Xhennetit, e kam marrë prej vendit ku ka shkelur nëna ime – i tha fëmija Hoxhës.
Hoxha mbeti pa frymë nga kjo përgjigje.
Kështu është portretizuar dashuria për nënën tek ky fëmijë. Është gjykim dhe perceptim paksa i çuditshëm ama gjithsesi shumë i natyrshëm.
Sa shumë kemi nevojë të vazhdojmë ta duam nënën me dashuri fëmijërore!

Përgatiti: Sedat Islami

Artikulli paraprakTURPI DHE RËNDËSIA E TIJ NË JETËN E BESIMTARIT
Artikulli vijuesVizita e varreve dhe kërkimi i ndihmës nga i varrosuri