Davutogllu Shqipërisë: "Gjithmonë jemi bashkë me njëri-tjetrin"

Ministri i Punëve të Jashtme Ahmet Davutollu vazhdon turneun nëpër Ballkan.

Në këtë vizitë që përshin tre vende janë duke u realizuar negociata të rëndësishme për rajonin dhe për të ardhmen e marrëdhënieve.

Në bisedime do të shtrohen shumë çështje të rëndësishme me në krye sigurinë e energjisë, stabilitetin dhe bashkëpunimin.

Ministri i jashtëm pas bisedimeve në qytetin Dubrovnik të Kroacisë shkoi në Mal të Zi ku u takua me homologun Igor Luksiç.

Davutollu i cili u nis për në Shqipëri me rrugë tokësorë gjatë 290 kilometrave që përshkoi vizitoi edhe shembujt e kulturës osmane.

Në qytetin Bar të Malit të Zi ku një e treta e popullsisë është myslimane, Ministri Davutollu vizitoi xhaminë e restauruar nga Agjencia e Bashkëpunimit dhe Koordinimit të Turqisë TIKA.

Stacioni i mëtejshëm ishte qyteti i Shkodrës ku ai vuri kurorë me lule pranë varrit të Hasan Riza Pashait, të vrarë në vitin 1913.

Davutollu i cili vizitoi edhe Kalanë e Shkodrës, një nga monumentet e paharrueshme të Luftrave të Ballkanit së fundmi kaloi në kryeqytetin Tiranë të Shqipërisë ku u takua me homologun shqiptar, Ditmir Bushati, i cili bëri të ditur sot hartimin e një dokumenti të përbashkët strategjik me Turqinë, që do të formalizohet së shpejti.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutollu, Bushati tha se ky dokument do të jetë objekt i diskutimeve të përbashkëta në nivele të dy ministrive tona.

Për Ministrin shqiptar, “dokumenti do të përcaktojë një rrugë më cilësore të këtij bashkëpunimi dhe më strategjike, në fusha jo thjesht me interesa të ndërsjellta, që janë nga mbrojtja dhe siguria e deri tek zhvillimet ekonomike, energjetika, turizmi dhe shëndetësia, por mbi të gjitha një dokument i partneritetit strategjik që do të bazohet mbi vlerat e përbashkët që kanë të dy vendet dhe përgjithësisht rajoni”.

Bushati falenderoi, në emër të qeverisë shqiptare, qeverinë turke për të gjitha përpjekjet që ka bërë për të jetësuar Projektin TAP, i cili është një projekt i një rëndësie strategjike sepse jo vetëm do të krijojë një diversifikim të burimeve të energjisë dhe gazit në Europë, por mbi të gjitha është një projekt i paqes që do të lidhë Lindjen e Mesme dhe Kaspikun me Evropën nëpërmjet tranzitimit në Shqipëri.

Kryediplomati shqiptar bëri të ditur se gjatë takimit, “i kërkuam gjithashtu Ministrit Davutoglu, mbështetjen e qeverisë turke për degëzimin e projektit TAP me Kosovën, për përfshirjen e Kosovës në TAP nëpëmjet një lidhjeje më të mirë ndërmjet TAP dhe JAP, ku Shqipëria, për shkak të pozicionit gjeografik të veçantë, është pika ku kryqëzohen të dy këto projekte”.

Gjithashtu, Bushati tha se “vlerësuam rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, ku gjej rastin të falenderoj për mbështetjen që Kryeministri Erdoan dhe gjithë qeveria turke ka dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe për të gjithë projektet e përbashkëta ku sot për sot ushtria shqiptare është krahas ushtrisë turke”.

“Bashkëpunimi ynë në përballimin e sfidave që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë është tashmë i certifikuar dhe qëndrimi ynë i njëhsuar dhe sidomos i gjithë klubit TransAtlantik në rastin e ngjarjeve në Siri është prova më e qartë e këtij bashkëpunimi”, theksoi ministri shqiptar.

Sipas tij, Turqia ka luajtur një rol stabilizues, paqësues dhe demokratik në rajon, ndërsa falenderoi rolin e qeverisë turke, Kryeministrit Erdoan dhe Ministrit të Jashtëm, në njohjen dhe konsolidimin e Pavarësisë së Kosovës.

“Është kënaqësi të deklaroj se jemi në sintoni të plotë për sa i përket qasjes së politikës rajonale për gjithëpërfshirje”, përfundoi Ministri i Jashtëm shqiptar, Bushati.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutollu, theksoi rëndësinë që Turqia i kushton bashkëpunimit me Shqipërinë, duke shtuar se në kuadër të këtij partneriteti do të zhvillohen edhe mbledhje të përbashkëta mes qeverive të dy vendeve, të kryesuara nga dy kryeministrat, Rama dhe Erdoan.

“E përgëzoj Shqipërinë për hapat e fundit të mëdha që ka hedhur në fushën e demokracisë. Kemi një miqësi të qëndrueshme dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ky bashkëpunim besoj se do të thellohet edhe me qeverinë e re”, tha ai.

Ministri turk u shpreh se “nuk erdha direkt me avion në Shqipëri, por në rrugë tokësore, vizitova dhe Shkodrën dje, një qytet mjaft i bukur. Edhe sot biseduam për hartimin e dokumentit të partneritetit strategjik. Projekti është shumë i rëndësishëm dhe parashikon dhe organizimin e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive. Kjo tregon rëndësinë që i kushtojmë Shqipërisë. Shqipëria është në transformim, urojmë që kjo të vazhdojë”.

Sipas tij, “organizimi i takimeve të përbashkëta të dy qeverive do jetë një nivel i ri dhe një hap më i madh mes vendeve tona. Miqësia dhe bashkëpunimi vëllazëror do të institucionalizohen akoma më shumë. Për ne Shqipëria është një vend i hapur drejt rajonit” .

Për ministrin Davutollu, “suksesi i Shqipërisë është edhe suksesi i Turqisë”. “Kemi vendosur të krijojmë mekanizmin mes Ministrive për çështje të caktuara për të dhënë asistencën tonë. Çdo sukses i Shqipërisë në të njëjtën kohë është sukses edhe për ne. Shqipëria do ketë gjithmonë përkrahjen e Turqisë në rolin e saj në rajon dhe botë. Gjithmonë jemi bashkë me njëri-tjetrin”, deklaroi Kryediplomati turk.

Ai bëri të ditur se “me Ministrin e Jashtëm shqiptar Bushati trajtuam dhe problemet rajonale, për të cilat ndamë të njëjtin mendim. Shqipëria është një vend me rëndësi për rajonin, është një shans që vitin tjetër Shqipëria do marrë kryesinë e bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore. Edhe në të ardhmen do të vazhdojmë bashkëpunimin”.

“Do vazhdojmë të bashkëpunojmë së bashku edhe për projektin TAP”, përfundoi Davutollu, ndërsa e ftoi homologun e tij për një vizitë sa më të shpejtë në Turqi./trt/kohaislame.com

Artikulli paraprakEgjipt: Vijon situata e tensionuar
Artikulli vijuesRama: Këshilltarë turq do asistojnë në ekonomi, shëndetësi, energji dhe rend