Kryeministri turk Ahmet Davutoglu, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares së rrjetit televiziv “CNN International”, Christiane Amanpour, në lidhje me një zgjidhje të mundshme të krizës siriane, tha se Turqia dëshiron të shohë në tryezën e bisedimeve edhe kurdët sirianë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne duam të shohim kurdët sirianë në tryezë. Pa kurdët nuk ka tryezë të bisedimeve. Ne kundërshtojmë prezencën në tavolinë të organizatës terroriste PYD. PYD është degë e PKK-së të cilën jo vetëm Turqia, por edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur si organizatë terroriste”, tha Davutoglu.
Duke u përgjigjur në pyetjen që ka të bëjë me vendimin lidhur me programin bërthamor të Iranit, Davutoglu tha se i njëjti është i mirë për të gjithë botën.
“Më vjen mirë se lidhur me programin bërthamor të Iranit është arritur një marrëveshje. Arritja e zgjidhjeve nuk është e mirë vetëm për Iranin, por edhe për ekonominë e tërë botës”, tha Davutoglu.
Ai theksoi se Turqia nuk e sheh Iranin si një konkurrent, por si një fqinj me të cilin ka marrëdhënie të mira.
“Nuk e shohim Iranin si një konkurrent. Ne jemi fqinjë. Përgjatë historisë ne kemi patur marrëdhënie të mira dhe të këqija. Kemi marrëdhënie të mira fqinjësore në 20 vitet e fundit edhe pse në Siri dhe Irak kemi mendime të ndryshme për disa çështje”, theksoi kryeministri turk.
I pyetur për ndërhyrjen ruse në Siri, Davutoglu tha se vetëm 10 përqind të sulmeve ruse në atë vend janë drejtuar kundër DAESH-it.
“Rusia një kohë të gjatë ishte deklaruar kundër ndërhyrjes nga jashtë në Siri. Megjithatë tani Rusia në një mënyrë shumë negative zbaton ndërhyrjen. Në fakt, në 90 përqind të sulmeve të Rusisë, objektiv kanë qenë civilët dhe opozita e moderuar në Idlib, Azez, Halep dhe Lazki. Rusia ka goditur shkolla dhe spitale. Vetëm 10 përqind të sulmeve të Rusisë ishin drejtuar kundër DAESH-it. Rusia si gjithë të tjerët mund të kontribuojë në procesin e paqes. Megjithatë, presim që Rusia të respektojë civilët sirianë dhe të mos i përzë drejt kufirit turk”, tha Davutoglu.
I pyetur nëse Bashar al-Assad po avancon në luftën siriane, Davutoglu tha se Assad nuk është duke triumfuar.
“Assad nuk po fiton. Nëse Assadi vazhdon të mbetet në Damask, asnjë sirian nuk do të jetë në gjendje të kthehet në shtëpi. Kjo për ne paraqet kushtin themelor për arritjen e paqes. Pra, ai nuk është duke fituar”, tha Davutoglu.
Në fund ai theksoi se për Turqinë, PKK dhe DAESH janë njëjtë të rrezikshëm për demokracinë.
Kur u pyet për mundësinë e bërjes së një kushtetute të re në Turqi, ai tha se kushtetuta e re do të jetë e bazuar në liritë personale, të drejtat dhe parimin e ndarjes së pushtetit.
“Nëse përpilojmë një Kushtetutë të tillë, në qoftë se Kuvendi përgatit kushtetutë civile, kjo do të ishte reforma më e madhe dhe më e rëndësishme të cilën do të mund ta bënte”, tha Davutoglu.