Deçani e Juniku bojkotojnë Komisionin për Demarkacion – për shkak që s’do të ketë matje në terren

Kryetarët e dy komunave të Dukagjinit, Rasim Selmani i Deçanit dhe Agron Kuçi i Junikut kanë refuzuar të jenë pjesë e komisionit të ri për Demarkacion, që u konstituua të martën që shkoi nga Qeveria e Kosovës.

Në këtë grup punues, që drejtohet nga shefi i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami, ka refuzuar të jetë edhe ish-kryetari i Pejës, Ali Lajci i cili ishte propozuar nga komuniteti për t’iu bashkuar këtij komisioni.

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës, i thirrur për të analizuar vijën kufitare të vendit me Malin e Zi, do të analizojë versionin aktual të demarkacionit duke mbledhur dhe analizuar dokumentacionet zyrtare në të cilat përfshihen të gjitha llojet, të dhënat kadastrale dhe hartat shkencore.

Por, mungesa e matjeve të kufirit në terren, ka bërë që disa anëtarë të këtij komisioni të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, të refuzojnë pjesëmarrjen.

Rasim Selmanaj i AAK’së, i thirrur në komision si kryetar i Deçanit, ka thënë se me këtë lloj të punës, komisioni i konstituuar javën që shkoi, ka për qëllim arsyetimin e gabimeve në demarkacion që janë bërë deri më tash.

“Arsyet pse nuk kam pranuar të jem në komision, janë të thjeshta, në po kërkojmë më matë territorin e Kosovës, me ba version të ri të demarkacionit që me u kthy kufiri aty ku ka qenë. Ndërsa, krijimi i këtij komisioni është veprim për më i arsyetu ato gabime që i kanë bërë deri me tash”, i tha Selmanaj të hënën.

Ai tregoi se të njëjtin veprim e ka bërë edhe kryetari i Junikut, Agron Kuçi, që po ashtu vjen nga AAK’ja dhe përfaqësuesit e propozuar nga komuniteti i Dukagjinit.

Njëri prej atyre që refuzoi të jetë pjesë e këtij komisioni është edhe Ali Lajçi, ish-kryetar i Pejës. Edhe Lajçi, duke folur  i dha arsyet e njëjta me kryetarin Selmanaj për refuzimin e këtij komisoni.

“Komisioni është politik dhe i orientuar me e konfirmuar këtë varantin që e kanë bë më herët të Demarkacioni. Si i tillë nuk është i pranueshëm, se në atëherë e legjitimojmë nëse shkojmë në komision”, tha Lajci.

Ndryshe, ky komision është konstituar nga Kryeministri Isa Mustafa, të martën e kaluar, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku u bë e ditur se drejtues i këtij komisioni u emërua Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami.

Artikulli paraprakGjermania në epokën e Trump
Artikulli vijuesShërbime stomatologjike falas për 5,000 nxënësit Deçanas