Deklaratat për Policinë e Shtetit, Rama: Institucioni më i besuar

0
265

Kryeministri Edi Rama poston në Facebook një anketim të Komisionit Europian të kryer disa muaj më parë mbi besueshmërinë tek institucionet shqiptare, ku Policia e Shtetit renditet më e besuara nga shqiptarët.

Kjo vjen një ditë pasi ministri i LSI-së Lefter Koka akuzoi policinë e Durrësit se po bën “lojë të fortësh” me LSI-në, dhe ndërkohë kreu i Shtetit vendosi të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë pasi institucionet ligjzbatuese nuk kanë vepruar siç duhet për arrestimin e Klement Balilit.

“Pas anketimit të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, Policia e Shtetit konfirmohet përsëri si institucioni më i besuar i shqiptarëve në Indeksin e Besimit tek Institucionet”, shkruan kryeministri Rama.

Këto ditët e fundit ka pasur një sërë deklaratash mes ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani dhe atij të Brendshëm Saimir Tahiri lidhur me arrestimin e Klement Balilit. Për këtë arsye kryetari i Kuvendit i kërkoi presidentit Bujar Nishani mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Kjo mbledhje nuk është mirëpritur nga ministri i Brendshëm, i cili u shpreh se Nishani të njëjtën gjë duhe të bënte për Lazaratin, ndërsa tha se arrestimi i Balilit është çështje ditësh.

Ndërkaq, mëngjesin e sotëm policia e shtetit bëri të ditur një aksion të kryer për arrestimin e personit tashmë më të kërkuar në Shqipëri, Klement Balili.

/ Top Channel