Ja pse bizneset e Kosovës nuk po ia shohin hajrin MSA-së

Nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim-Asocim (MSA) u prit më bujë të madhe dhe u konsiderua si një ndër arritjet më të mëdha të Kosovës në vitet e fundit. Zyrtarë të institucioneve deklaronin se Kosova do të fitojë shumë edhe në aspektin ekonomik pasi që po i hapen dyert e Evropës.

Mirëpo shumë njohës të fushës se ekonomisë qysh atëherë deklaruan se MSA-ja më shumë ka shkaktuar entuziazëm sesa që do të ketë zhvillime reale ekonomike.

MSA e cila filloi të zbatohet në Kosovë që nga muaji prill i vitit të kaluar nuk ka dhënë efektet e pritura. Këtë e thonë edhe përfaqësues të shoqatave që mbrojnë interesat e bizneseve dhe afaristë në vend.

Edhe pse MSA i hapi dyert bizneseve të Kosovës për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh, prania e produkteve të Kosovës në tregjet e BE-së nuk ka shënuar rënie. Një nga pengesat në këtë drejtim është mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe në mungesë të lëvizjes së lirë, pa viza në vendet e BE-së as MSA nuk po mund të shfrytëzohet.

Më konkretisht, ka disa kompanie të suksesshme në Kosovë që kanë kapacitete për të prodhuar dhe eksportuar edhe jashtë vendit, por pronarëve të këtyre bizneseve iu mungon elementi kryesor, lëvizja e lirë që do t’u mundësonte takime dhe kontakte të shpeshta dhe të drejtpërdrejta. Ndërkaq, në situatën aktuale për të marrë një vizë për në vendet e Evropës, fjala vjen në Gjermani, Francë, etj., duhet grumbulluar një mal me dokumente, gjë që një biznesmeni i shpenzon disa javë kohë dhe nuk e ka të sigurt se do ta marrë vizën. Ambasadat edhe biznesmenët në aspektin e procedurave i trajtojnë njëjtë sikur gjithë qytetarët e tjerë.

Por një procedurë e tillë mund të kryhet nga pronari i biznesit, por për të realizuar eksportin nevojitet që edhe dhjetëra punëtorë të pajisën me viza dhe në rrethana aktuale kjo gjë është shumë e vështirë për shkaqet e lartcekura, por ka edhe kosto financiare. Gjithashtu, vizat jepen zakonisht për një afat të shkurtër kohorë (5-7 ditë) dhe është raportuar në shumë raste që përfaqësuesit e kompanive të Kosovës kanë qenë të detyruar të ndërpresin aktivitetin e tyre qoftë në panaire apo aktivitete tjera biznesore për shkak të skadimit të bizave.

Ndërkohë, me zbatimin e MSA-së, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do t’i investojë në Kosovë mbi 600 milionë euro.

Nga kjo, është thënë se do të përfitojnë edhe prodhuesit, për t’i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese. Por, që sipas pronarëve të bizneseve, kapacitetet e tyre prodhuese nuk mund të zgjerohen derisa nuk arrihet të udhëtohet pa viza në vendet e BE-së.

Kosova nuk është e gatshme për të shfrytëzuar MSA-në

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se marrëveshje MSA-ja është mirëpritur si nga prodhuesit vendor po ashtu edhe nga njohësit e ekonomisë për faktin se MSA-ja është një hap më afër Bashkimit Evropian, por që nga fillimi si njohës i ekonomisë thotë se ka qenë skeptik, sepse produkti vendor ende është larg cilësisë çfarë kërkon tregu evropian po flas në kohë afatshkurtër dhe afatmesme.

“Për fatin jo të mirë edhe ashtu ndodhi, kjo argumentohet me çka u rrit edhe importi për vitin 2016 krahasuar me vitin 2015. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes kryeministri i vendit u shprehë i ngazëllyer, duke u shprehur që produktit vendor po i hapët një treg prej 500 milionë banorësh duke llogarit në tregun e Bashkimit Evropian. Por tek ne si duket e mira ndodh si një moment ëndrre për një vit ndodhi e kundërta u bë një vërshim i importit”, thotë Kadriaj.

Ai thotë se kjo situatë ka ardhur për shkak se qeveritë e deritanishme po ashtu edhe ky koalicion qeveritar nuk kanë strategji të mirëfilltë afatgjatë, por veprojnë sipas interesave të politikës ditore sepse deri më sot arka e shtetit ende mbushet nga dogana që kjo e ngulfat prodhimin vendor dhe nëse vazhdohet me këtë ritëm do të jetë vdekjeprurëse e produktit vendor.

“Pra ende pa i kryer detyrat tona si shtet kemi hyrë në marrëdhënie kontraktuale me një treg të madh dhe me kërkesa të cilësisë siç është tregu i Bashkimit Evropian. Kjo argumentohet për faktin sepse i njëjti produkt vendor po zëvendësohet nga produkti i importuar po ashtu edhe në çmim më i leverdishëm për konsumatorin që është paradoksale që produkti i importuar po i kalon të gjitha obligimet doganore dhe me qenë më konkurrues për nga çmimi sesa produkti vendor”, theksoi Kadriaj.

Ai thotë se ky koalicion qeverisës ka shumë punë për të bërë që të krijon një ambient të përshtatshëm për prodhimin vendor duke u fokusuar në taksa dhe tatime të përshtatshme dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore po ashtu edhe në infrastrukturë teknike si në rrugë dhe energji elektrike.

Duhet të rritet kapaciteti prodhues dhe të përmirësohet cilësia e produkteve

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës , e ka bërë Republikën e Kosovës pjesë të një tregu mbi 500 milionë konsumatorësh , çka edhe do të rrisë mundësinë e investimeve të huaja, po ashtu edhe krijim i vendeve të reja të punës. Sipas tij, me vet faktin që bizneset kosovare kanë mundësi të eksportojnë produktet e tyre pa hasur në barriera të shumta dhe rrjedhimisht do të duhet të rrisin stafin e punës me ekspert të lëmenjve të ndryshme sepse të eksportosh në vendet e BE-së duhet shumë cilësi dhe seriozitet.

“Qytetaret e Kosovës e kanë prit me eufori Marrëveshjen e MSA-së, por në realitet nuk ka pas ndonjë përfitim të theksuar, gjendja ekonomike nuk është në nivelin e duhur”, thotë Beqiri.

Ai thotë se për të fituar Kosova nga MSA duhet që të sigurohet më shumë cilësi, të investohet në kapacitete teknologjike të reja, staf të përgatitur mirë, dhe pajisje me certifikata të cilësisë, duke përmirësuar dukshëm ambalazhin dhe marketingun e tyre. /

Artikulli paraprakJoshua vs Klitschko: Supermeçi me shikueshmërinë më të madhe në boksin britanik
Artikulli vijuesDeklaratat për Policinë e Shtetit, Rama: Institucioni më i besuar