Dy prindër nga Durrësi denoncojnë një ngjarje të rëndë dhe kërkojnë drejtësi nga shteti. Idajet dhe Nevruze Çoniku, banues në lagjen numër 15 të Durrësit thonë për “GSH” se, vajza e tyre 23-vjeçare Desara Çoniku, është torturuar dhe përdhunuar derisa ka përfunduar në spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Sipas tyre, 23-vjeçarja ishte e punësuar në një familje në qytetin e Durrësit dhe kujdesej për fëmijën e tyre 10-vjeçar (i paralizuar). Por më 20 gusht, sipas prindërve të Desarës, kësaj të fundit i ka ardhur komunikimi nga punëdhënësi për largim nga puna.
“Tri ditë më pas, vajzën e mori dikush në telefon. Ajo iku zbathur nga shtëpia dhe nuk tha se ku po shkonte. Disa orë më pas e gjeta në shtëpinë e familjes ku punonte. Ajo doli e zhveshur lakuriq dhe kishte ikur nga mendtë e kokës”,- thotë Novruze Çoniku.
Nëna e 23-vjeçares pohon se pasditen e 23 gushtit ka denoncuar ngjarjen ndërsa thotë se pas kësaj, vajza e saj u mbajt me pranga në polici. Më datë 24, rrëfen Çoniku, vajza ka përfunduar në spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Për mjekoligjorët, rrëfen nëna e Desarës, e reja nuk kishte shenja dhune.
“Gjithçka u bë shpejt e shpejt për të mbuluar të vërtetën e asaj që i kishte ndodhur sime bije. Ajo kishte shenja dhune në trup. Ne kërkojmë që shteti të zbardhë ngjarjen dhe të arrestojë personat që abuzuan me të dhe e çuan deri në atë gradë që është ajo”,- rrëfen e përlotur nëna e 23-vjeçares.