Deputetët britanikë konsumojnë alkool në Parlament

Shifrat alarmante, që dalin nga një sondazh me 150 deputetë britanik, nxjerrin në pah një problem të vjetër në ambientet e Parlamentit britanik, pikërisht konsumimin e alkoolit në baret dhe restorantet e Parlamentit, ku 13 mijë persona kanë leje të posaçme për të hyrë në ambientet e tij, përfshi deputetë, lordë dhe stafet e tyre.

26 për qind e deputetëve të anketuar mendojnë se ekziston një kulturë “jo e shëndetshme” në radhët e deputetëve, të cilët pinë alkool në ambientet e Parlamentit, ku pijet alkoolike janë të subvencionuara nga shteti dhe me çmime të ulëta, raporton Top-Channel.

Organizata e bamirësisë “Alcohol Concern”, që ka kryer sondazhin, thekson se “nëse një e katërta e punonjësve do të shprehnin shqetësim për konsumimin e alkoolit në çdo ambient pune, në parim drejtuesit do duhet të ndërmarrin veprime për një fenomen të tillë. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Parlamenti britanik”, theksoi drejtuesi i saj.

Vetëm gjatë vitit 2011, nëpër nëntë baret e Parlamentit britanik u shpenzuan më shumë se 1.3 milion funte vetëm për alkool.

Në fillim të këtij viti, një deputet laburist u ndalua nga blerja e alkoolit në baret e Parlamentit, pas një përleshjeje fizike me një koleg konservator dhe u dënua nga gjykata për këtë vepër penale. Më pas, ai dha dorëheqje nga Partia Laburiste./koha/kohaislame

Artikulli paraprakMbipesha në rini çon drejt vdekjes më të hershme?
Artikulli vijuesAeroplani-veturë arrin së shpejti