Deputeti italian ndalohet në Korfuz si klandestin shqiptar

Një skandal me përmasa diplomatike ka përfshirë autoritetet greke të cilat kanë ndaluar senatorin e njohur italian, Alberto Maritati, duke e konsideruar si trafikant klandestin shqiptar. Incidenti është denoncuar nga vetë deputeti i PD në Itali. Ai i ka cilësuar me këto epitete grekët: “Provokatorë, të egër dhe të shurdhër kur tenton t’u flasësh”.

“Unë jam me të vërtetë i zhgënjyer. Unë e dua Greqinë, kam ardhur këtu për 40 vjet me radhë çdo vit, por ajo që ka ndodhur me mua, më ka tronditur me të vërtetë, edhe pse në fund kam marrë një ndjesë”, – shprehet senatori Alberto Maritati teksa pyetet në telefonin e tij celular nga Il Quotidiano di Puglia, pak orë pasi ai kishte arritur në Korfuz, citon agjencia noa.
“Dita ime ishte një përzierje rraskapitës e keqkuptimeve, zhytur në incidente ujërash neutrale dhe intrigash ndërkombëtare. E në mes të kësaj vorbulle, flamuj të padëshiruar, vula penalizimi mbi dokumentet e identifikimit, dhe madje edhe akuza e imigracionit të paligjshëm. Shkurt, një makth. Kështu hyra në mes të një marrëdhënieje historikisht të nderë, midis Greqisë dhe Shqipërisë. Dhe për çfarë: Ne thjesht donim të bënim një xhiro të diele në det”, tregon senatori tejet i zhgënjyer.
Gjithçka ka ndodhur këtë të diel që kaloi. Senatori i Partisë Demokratike Italiane, ka një shtëpi familjare në ishullin e Erikoussa, rreth dhjetë kilometra në veri-perëndim të Korfuzit dhe 14 km larg nga brigjet shqiptare. Këto ditë pak para se të ndodhte incidenti i së dielës, Maritati priti gjithashtu, senatorin Massimo D’Alema, aktualisht, President i Fondacionit të Studimeve Progresive Europiane (FEPS). Dhe të dielën vendosin të dalin në det. Njëmbëdhjetë njerëz në bordin e një barke 12 metra të gjatë, me flamur italian. “Me ne ka qenë edhe një familje shqiptare, prindër dhe dy fëmijët e tyre, të cilët prej 20 vjetësh jetojnë në ishullin Erikoussa, dhe dy gra të tjera shqiptare, njëra me shtetësi italiane dhe tjetra, studente e diplomuar në Universitetin e Salentos”, – tregon senatori italian.
“Rruga e përshkruar me barkë është në zonën që të çon në qytetin e Sarandës dhe Porto Palermos në Shqipëri, jo larg bregdetit të Korfuzit. Atje, ujërat kufitare janë vetëm një milje distancë dhe në disa vende edhe më pak, ndaj dhe shumë e thjeshtë të ngatërrohesh teksa lundron”, – thotë ai dhe vazhdon:
“Në një moment jemi gjendur në ujëra shqiptare. Atje na afrohet një anije e policisë kufitare të Shqipërisë. Një oficer policie na pyeti se pse ne nuk e kishim ngritur flamurin shqiptar. Ndonëse nuk është e detyrueshme është e këshillueshme që në ujërat territoriale që përshkon të kesh veç flamurit të tokës amë dhe të vendit që po kalon. Ne u kërkuam ndjesë, ata na kontrolluan dokumentet, panë që ishte gjithçka në rregull, na i dorëzuan të vulosura bashkë me një flamur shqiptar (ne nuk kishim flamur shqiptar) dhe u duk se gjithçka mori fund aty. Por nga ai çast nisën problemet tona”.
“Me flamurin shqiptar që valëvitej, barka jonë ndërroi kurs dhe u nis drejt ishullit Erikoussa. Me të hyrë në ujërat greke, u përballëm me një kontroll të ri. Këtë herë nga Roja Bregdetare Greke: Na pyetën se pse kishim flamurin shqiptar, u përgjigjëm se jemi një anije italiane. Por u përgjigjën ashpër: Ky është territor grek.
Në ato momente atmosfera u bë vibruese: NaNa pyetën pse kishim flamurin shqiptar, u shpjeguam që jemi barkë italiane. Na kërkuan dokumentet e nga ai çast nisën të na trajtonin shumë keq. Na shpjeguan që duhet t’i ndiqnim në Korfuz, ndërsa njëri prej tyre simulonte gjestin e vënies së prangave. Dukej sikur kishim të bënim me një vend armik. Dyshimi i ngritur nga pala greke – i pajustifikuar – ishte ai i futjes në Greqi i emigrantëve klandestinë. Për më tepër u kapën me ne për ca vula pafund që kërkonin në pasaportat dhe dokumentet e udhëtimit që ndoshta disa i kishim dhe disa jo, dhe kjo mjaftoi të na akuzojnë se jemi duke kryer trafik klandestinësh.
Me të mbërritur në Korfuz, Maritati thotë se ndjehej shumë i zemëruar dhe vendosi të vërë në lëvizje makinerinë diplomatike: lidhet me konsullin lokal italian dhe ky i fundit mobilizon ambasadorin. “Falënderoj personalin e ambasadës që u tregua efikas, por shija e hidhur na mbeti”. Më tej senatori shtron dhe pyetjen: “Nuk arrij të kuptoj këtë kokëtrashësi e gjithë këtë gjendje emergjence të grekëve ndaj shqiptarëve. Në 40 vjet që unë kam shëtitur këndej, kurrë nuk kam parë një gjë të tillë. Dhe u detyruam të kthehemi nga Korfuzi në ishullin tonë, në errësirë, në mes të shumë rreziqeve që bart nata”, – përfundon senatori italian rrëfimin e tij për atë që e cilësoi si një odise detare mes intrigash ndërkombëtare”./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakShikuesit nga Shtetet e Bashkuara panë 36.9 miliardë video online në korrik
Artikulli vijuesRritet kriminaliteti