Rritet kriminaliteti

Veprat e vogla penale, siç janë vjedhjet në rrugë, ato të veturave, lëndimet e lehta, nga viti në vit po vijnë duke u shtuar. Qytetarët e pafajshëm, të cilët bien pre e këtyre veprimeve kriminale, janë në numër më të madh krahasuar me vitet paraprake, siç është edhe më i madh numri i personave që janë të përfshirë në kriminalitet.

Kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prishtinë,Haki Gecaj, ka konfirmuar për gazetën Zëri se vetëm në prokurorinë që drejton, ku parashihet akuzimi i personave për vepra penale të dënueshme deri në pesë vjet burgim, është në rritje e sipër.
Krahasuar vetëm me vitin paraprak, rritja e kriminalitetit, sipas tij, është shtuar në dhjetë për qind dhe kjo, sipas tij, është shqetësuese për një shtet të ri siç është Kosova.
“Ka një rritje prej dhjetë për qind të kriminalitetit sa u përket lëndëve në prokurorinë komunale. Kjo rritje nuk ka të bëjë vetëm me veprat ku kryesit janë të njohur, por edhe me kallëzimet penale ku kryesit e veprave penale janë të njohur”, thotë Gecaj.
Ndonëse nuk ankohet për numër të vogël të prokurorëve që do të merreshin me këto raste, Gecaj shfaq mendimin se një ndër faktorët kryesor për këtë rritje është politika ndëshkimore.
“Edhe ata persona që dënohen, dënohen pak dhe dënimet e tilla nuk janë bindëse për personat tjerë që të mos kryejnë vepra penale. Po ashtu mendoj se në rritjen e kriminalitetit ndikon vonesa për të përfunduar lëndët e kjo vonesë vjen për shkak se ka numër të vogël të gjyqtarëve komunalë”, thotë më tutje Gecaj duke rekomanduar që të ndryshohet politika ndëshkimore ndaj kryesve të veprave penale.
Por, ndryshe mendon kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.
Politika e ndëshkimeve, sipas tij, mund të jetë faktor, por është faktor dytësor apo i treti që ndikon në rritjen e kriminalitetit. Ai fajin kryesor për këtë ia lë gjendjes ekonomike në Kosovë, ku një pjesë e madhe e popullsisë janë të papunë dhe si të tillë janë të prirur për të kryer veprime kriminale në dëm të qytetarëve që janë viktima në këso rastesh.
“Bazuar në të gjitha studimet, ashpërsimi i dënimeve nuk është njëri nga faktorët që ndikon në uljen e kriminalitetit. Është një faktor, por jo elementari. Askund në botë nuk ka ndodhur që me rritjen e masave ndëshkuese të ulet kriminaliteti, por një gjë e tillë mund të bëhet me aplikimin e masave alternative që në Kosovë mungojnë”, ka thënë Peci.
Masat alternative që mund të ndihmojnë në uljen e kësaj shkalle që është në trend të rritjes, sipas Pecit varen kryekëput nga ekonomia e një vendi.
“Shqiptimi i masave alternative do të mund të ketë ndikim pozitiv për shkak se nëse një i punësuar pas një dënimi është i obliguar që të punojë në dobi të së përgjithshmes, ai i pandehur nuk do të kishte më mundësi që të kryente vepra kriminale, por derisa mungojnë vende të lira pune dhe kompani që do të punësonin këta persona, atëherë është e vështirë të zbatohen këto masa në Kosovë”, thekson më tutje ai, raporton Zëri.
Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë vë në pah se edhe mungesa e një zhvillimi ekonomik nuk mund të merret si faktor për rritjen e kriminalitetit, posaçërisht në regjionin e kryeqytetit.
“Nëse e krahasojmë me vitet paraprake, zhvillimi ekonomik ka qenë edhe më i ulët se që është tani. Tani kemi një ekonomi më të mirë nga vitet paraprake dhe kemi numër më të madh të veprave kriminale që kryhen”, pohon Qehaja.
Një bashkëpunim me i mirë i trekëndëshit prokurori, gjyqësi, e polici, sipas tij, do të ndihmonte në uljen e kriminalitetit në Kosovë dhe për këtë, sipas tij, nevojitet punë dhe përkushtim serioz.
“Nga policia p.sh. nuk ka vullnet për aksione ku do të ziheshin grupe që vjedhin automjete, apo ata që vjedhin nëpër rrugë apo shtëpi. Thjesht, ka një mungesë të efikasitetit të sistemit të sigurisë dhe gjyqësisë dhe kjo konsideroj që është faktor kryesor për shkallën e kriminalitetit që ne e kemi sot në Kosovë”, Thotë Qehaja.
Ai thotë se një koordinim i tillë kërkon kohë, ndonëse shpreson që sistemi i ri gjyqësor që do të nisë së vepruari vitin tjetër në Kosovë, mund të jetë ndikues në uljen e kriminalitetit./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakDeputeti italian ndalohet në Korfuz si klandestin shqiptar
Artikulli vijuesRoboti që lë qindra punëtorë pa punë