Një grup neonazist në Gjermani planifikonte sulme ndaj xhamive dhe qendrave të pritjes së refugajtëve në vend. Der spiegel shkruan se prokuroria ka nisur hetimet për tre burra dhe një grua anëtarë të shoqatës së ekstremit të djathtë “Oldschool Society”.
Prokuroria gjermane akuzoi tre burra dhe një grua të ekstremit të djathtë se kanë formuar një grup për të planifikuar atentate kundër xhamive dhe qendrave të pritjes së refugjatëve. Lajmi është publikuar nga “Spiegel” online. Sipas hetuesve grupi “Oldschool Society”, Shoqëria e Shkollës së vjetër, është krijuar në rrjetet sociale, duke përhapur urrejtje nëpërmjet Facebook-ut. Që nga fillimi i muajit maj të një viti më parë, grupi ka blerë sasi të mëdha materialesh piroteknike jashtë vendit për të prodhuar eksplozivë. Për të përforcuar efektin e bopmbave artizanale janë përdorur dhe gozhdë. Sipas akuzës objektivi kryesor ishin predikuesit salafitë, xhamitë dhe qendrat e pritjes së refugjatëve. Nën hetim janë katër anëtarë të shoqatës tre burra të moshave 57, 40 dhe 47 vjeç, dhe një vajzë 23 vjeçare. Procesi ndaj tyre do të zhvillohet në gjykatën e apelit në Mynih.