Transmetohet se është thënë: “Dëshmia e rreme është e barabartë me shirkun. Allahu i Lartësuar ka thënë: “…pra largojuni ndyrësive të idhujve dhe largojuni fjalës shpifëse.” (Haxh; 30)
Transmetohet se profeti, alejhi selam, ka thënë: “Nuk do t’i pushojnë këmbët në Ditën e Kijametit atij që ka dhënë dëshmi të rreme.” (Ibn Maxhe, Hakimi) Ai që ka dhënë dëshmi të rreme ka bërë mëkate të mëdha:
E para: Gënjeshtra dhe shpifja. Allahu i Madhëruar ka thënë: “..S’ka dyshim se Allahu nuk e udhëzon atë që tejkalon dhe është gënjeshtar.” (Gafir; 28) Gjithashtu, transmetohet se profeti, alejhi selam, ka thënë: “Besimtarit (ka mundësi) t’i bëhet shprehi çdo gjë, përveç tradhtisë dhe gënjeshtrës.”
E dyta: ka bërë padrejtësi ndaj personit për të cilin ka dhënë dëshmi të rreme, meqë për shkak të kësaj dëshmie atij personi i kanë marrë pasurinë, nderin apo shpirtin.
E treta: nëse, duke dhënë dëshmi të rreme për dikë, ka pasur si qëllim që t’i marrë pasurinë atij personi, ka bërë gjynah të madh, sepse ajo quhet pasuri harram për të. Profeti, alejhi selam, ka thënë: “Atij që me gjykim i ndaj pasuri nga pasuria e vëllait të vet pa të drejtë, atij i kam ndarë një pjesë të Zjarrit.” (Buhariu, Muslimi)
E katërta: Ai (duke dhënë dëshmi të rreme) e ka lejuar atë që Allahu e ka ndaluar dhe që e ka mbrojtur, si: pasurinë, gjakun dhe nderin e besimtarit. Ka thënë profeti, alejhi selam: “Çdo musliman e ka të ndaluar te muslimani pasurinë, gjakun dhe nderin e tij.” (Muslimi)
Ka thënë i Dërguari i Allahut, alejhi selam: “A t’ju tregoj për mëkatin më të madh? T’i përshkruash Allahut shok, mosrespektimi i prindërve, dëshmia e rreme….” Dhe e përsëriti aq shume sa sahabët thanë: “Sikur të heshte.” (Mutefekun alejhi)
“Mëkatet e mëdha” Imam Dhehebiu