Sekreti i 11 thasëve të Titos

Komisioni treanëtarësh i presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic, në fillim të prillit hapi trezorin e Bankës Kombëtare, ku Kryesia e dikurshme e ish-RSFJ-së kishte depozituar gjërat e vlefshme të Josip Broz Titos. Por, ende nuk dihet se çfarë është gjetur aty, e as se cilat gjërat cilit shtet do t’i takojnë, e cilat trashëgimtarëve të Brozit.
Gjykata e Parë Themelore në Beograd, që merret me këtë trashëgimi, ende nuk e ka marrë raportin për regjistrimin e gjësendeve të gjetura, e as avokatët e trashëgimtarëve të ish presidentit të ish RSFJ-së, thotë avokati Goran Petronijevic, që përfaqëson Joskan, nipin e Titos.

Ai deklaroi se avokatët nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e gjërave nga trezori i Kryesisë së RSFJ-së, meqë nuk janë ftuar.

Se çfarë ka saktësisht aty, këtë askush saktë nuk e di, ndërsa sipas informatave të publikuara në media, aty mund të jenë “11 thasë” me gjashtë pagat e fundit të Titos, bizhuteri ari, si dhe honorarët e autorësive të tij.

Në krijimin e listës nuk ishin as përfaqësuesit e gjykatave, meqë Presidenca serbe në mars i kishte shkruar Gjykatës së Parë Themelore se prania e tyre nuk është e nevojshme, ka thënë zëdhënësja e gjykatës, Gordana Vukovic.

Regjistrimin e ka bërë komisioni treanëtash me këshilltarin e Nikolicit, Oliver Antic. Në regjistrim, siç kanë shkruar mediat, ishte i pranishëm edhe këshilltari tjetër i Nikolicit, Milorad Simic, si dhe zëvendëssekretari i Presidentit, Nenad Jevremovic.

Vazhdimi i seancës për trashëgiminë – që në dhjetor 2011 u rinis në Gjykatë e Parë Themelore të Beogradit – ende është caktuar, sepse pritet përfundimi i procedurave në Bankën Kombëtare.

Debati për këtë çështje mes pasardhësve të Titos ka filluar me kërkesën e djalit të ndjerë të Titos, Zarkut, më 14 dhjetor 1983. Gjykata e dikurshme e katërt komunale kishte marrë një vendim më 1989, por e veja e Brozit e kishte kontestuar atë.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë në vitin 2000 e kishte shpallur jokushtetues Ligjin për menaxhimin e gjërave në pronë shoqërore, ku janë gjësendet e Josip Brozit, kështu që u hap një proces i ri, ku sërish është dashur të vërtetohet se cilat gjëra i takonin ish presidentit të RSFJ-së.

E veja e Titos, Jovanka Broz, deri tash ka paraqitur disa informata me listën e pronës së saj personale, ku pos shumë margaritarëve dhe bizhuterive tjera, ka kërkuar skulptura, fotografi, vazo, qilima, libra, pesë makina nga garazhi i Pallatit të Bardhë dhe dy makina në garazhin e Brioneve (Rolls-Royce, Cadillacu i bardh, Lincolni…).

Ajo pohonte se pjesa më e madhe e gjësendeve në rezidencën në Rrugën e Uzhicës 14, ishin të sajat dhe të Titos, të arritura në bashkësinë martesore.

Në listat e mëparshme të gjërave të Titos, ka mobile druri, monedha, ari, dukat austrohungarez, gjilpëra dekorative me brilantinë, rubinë dhe gurë të tjerë të çmuar, enë porcelani dhe qeramike, orë të çmuara, albume me foto… Ai ka edhe Ordenin e Suvorovit që vlen me miliona, sepse një të tillë e kishin vetëm Josif Stalini dhe Georgy Zhukov. Aty është edhe një gur nga Hëna, dhuratë e astronautëve amerikanë.

Tito kishte 38 rezidenca, por asnjërën në emrin e tij. Pas vdekjes së tij, gruaja Jovanka nuk trashëgon asgjë, madje as fustanet e saj. Ajo kërkon një vilë ku do të banonte, por këtë dëshirë e pengon funksionari shqiptar nga Kosova, Fadil Hoxha, duke thënë: “Ajo është rezidencë”.

Gjërat e vetme që kanë mbetur të trashëgohen, janë gjësendet personale të tij.

Artikulli paraprak“Civilna Zastita”, gati për kontroll qind për qind të veriut
Artikulli vijuesImazhi i “zymtë” i Kosovës