Ish-sulmuesi i Real Madridit, Angel Di Maria, ka zbuluar se gati u bashkua me shokun e kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi, në Barcelonë./Kumti.com
Lojtari në top-formë i PSG-së ishte i lidhur me një lëvizje sensacionale drejt gjigantëve të La Liga-s në fillim të sezonit, pas ardhjes së Neymar dhe Kylian Mbappe në kryeqytetin francez. Situata e 29-vjeçarit në “Parce de Princes” bëhej më e vështirë, megjithëse nga ajo kohë ai ka qenë rregullisht pjesë e formacionit të Unai Emery, duke shënuar katër gola në shumë ndeshje, përfshi këtu një “hat-trick” kundër Sochaux, në “Coupe de France”. Duke reflektuar mbi transferimin e tij të dështuar, Di Maria i tha “TyC Sports”: “Unë kam qenë shumë afër kalimit te Barcelona, por në fund nuk ishte e thënë. E fillova vitin 2018 me këmbë të mbarë dhe jam me të vërtetë i lumtur. Më pëlqen të ndihmoj shokët për të realizuar gola, sesa t’i shënoj vetë”.
Një transferim në “Camp Nou” do ta kishte parë Di Marian të lidhej me bashkatdhetarin Messi në nivel klubi. Dhe Di Maria ka pa fund lavdërime për pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, pavarësisht fitimit të Ligës së Kampionëve dhe La Liga-s me Cristiano Ronaldon në Madrid. “Messi është gjithmonë më i miri. Ai është më i miri çdo vit. Cristiano Ronaldo është një lojtar i veçantë, por Messi është nga një tjetër planet, – tha Di Maria, i cili do të luajë kundër Ronaldos dhe kampionëve në fuqi të Europës javën e ardhshme. – Nuk ka fjalë për ta përshkruar Messin, ai gjithmonë të befason”.