Raportuesja e posaçme e Parlamentit të Evropës për Kosovën, Ulrike Lunacek, u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit “që të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të vazhdojnë procesin e dialogut”.
Ajo njëkohësisht i ka bërë thirrje Beogradit që të “tërheq (fletë-arrestet, v.j) të vjetra (2004)”.
Thirrja e Lunacek pasoi Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, të miratuar me shumicë votash, të enjten, me të cilën kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë, deri në lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht, në Colmar të Francës.
Haradinaj u ndalua në Bazel më 4 janar nga policia franceze mbi bazën e një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, me akuzat për krime lufte.
Rezoluta e Kuvendit, ndërkaq, është cilësuar nga BE-ja të jetë në kundërshtim ‘me përkushtimin e Kosovës për dialogun dhe normalizim të marrëdhënieve’.
Në një deklaratë të zëdhënëses së BE-së “u bëhet thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës, që të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, të zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe të avancojnë edhe në normalizimin e marrëdhënieve dhe në perspektivën evropiane”.
Por, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i tha Radios Evropa e Lirë se ‘Qeveria do ta respektojë rezolutën e Kuvendit me të cilin kërkohet pezullimi i dialogut më Serbinë”.
“Qeveria dhe unë si kryenegociatore e respektojmë rezolutën e Kuvendit të Kosovë e miratuar dje. Që nga fillimi i dialogut me 2011, ne si qeveri kemi respektuar të gjitha rezolutat e Kuvendit dhe mbetemi të përkushtuar në këtë drejtim”, tha Tahiri, pa saktësuar se cilat mund të jenë ‘dëmet që Kosova mund të ketë me pezullimin e dialogut’.
Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, citohet nga mediet serbe të ketë deklaruar se “është bërë e qartë se autoritetet në Prishtinë me ngritjen e tensioneve kanë kërkuar justifikim për ndërprerjen e dialogut”.
Gjuriq, siç citojnë mediet serbe një kumtesë të tij, ka shprehur “përkushtimin e Beogradit për dialogun”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i filluar prej më shumë se 5 vjetësh, është cilësuar si “alternativa e vetme” që mund të japë rezultate.
Ish zëvendës ndërmjetësi në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “dialogu ka sjellë një përparim të vogël në çështjet teknike dhe ka shpresë që do të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.
“Dialogu është sigurisht më i mirë se çdo gjë tjetër që mund të mendohet. Është i vështirë dhe sërish Beogradi po tregon shenja se nuk e do realisht normalizimin. Për shembull, çështja me trenin drejt Mitrovicës tregojnë se ka ende elemente në Beograd që nuk janë të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve. Është e vështirë, por të dyja palët kanë të drejtë kur thonë se dialogu s’ka alternativë dhe duhet të vazhdojë sado që të jetë frustrues dhe i vështirë”, ka deklaruar Rohan.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka hapur kapituj të ri të të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, ndërkohë që Kosova nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.
Ndërkohë analisti i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova dhe institucionet e saj kanë vepruar drejt me një vendim për pezullimin e dialogut me Serbinë, pasi që sipas tij Serbia në çdo rast të mundshëm po e sfidon stabilitetin në rajon.
“Edhe pse ndoshta nuk shihet mirë nga Bashkimi Evropian është një hap i duhur i parlamentit dhe i qeverisë që e mbështet këtë rezolutë, që të jepen disa kushte të vazhdimit të dialogut me Serbinë. Nuk mund të kemi një partner i cili sfidon stabilitetin, ndërkohë ne jemi vetëm ata partnerët e mirë të cilët e përmbushin çdo gjë që kërkohet”, tha Ibrahimi.
Sipas tij, veprimet e Serbisë karshi Kosovës janë veprime që po i tensionojnë raportet mes dy vendeve. Ibrahimi tha se Kosova nuk do të dëmtohet nga ky pezullim i përkohshëm i dialogut.
“Bashkimi Evropian duhet ta ketë të qartë se edhe Kosova është një partner i barabartë me Serbinë. Po t’i bëhen këto thirrje Kosovës vazhdimisht për pjesëmarrje në dialog atëherë duhet t’i bëhen thirrje edhe Serbisë që të mos bëhet destruktive në këtë dialog”.
“Duhet të ketë një qasje të barabartë nga BE-ja ndaj të dyja vendeve për të arritur atë të cilën po e synojmë, do të thotë një stabilizim të rajonit, një krijim të një fryme ku të dy shtetet mund të kontribuojnë drejt një të ardhmeje më të mirë dhe jo ta sfidojnë njëra tjetrën me këto çështje të cilat për mendimin tim janë të tejkaluara”, tha Ibrahimi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka hapur kapituj të ri të të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, ndërkohë që Kosova nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. (REL)