Shpend Ahmeti: ATK mbyllini bastoret në Prishtinë

0
127

Komuna e Prishtinës i ka dërguar sot Administratës Tatimore hartën përmes të cilës i kanë paraqitur lokacionet e lojërave të fatit me 500 metra distancë nga institucionet fetare, shkollore dhe ato publike.

Në një konferencë për media, kryetari i porsazgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se Ministria e Financave ka kërkuar një hartë të tillë me 27 dhjetor të vitit të kaluar, në mënyrë që të identifikohen të gjitha këto institucione dhe të jenë 500 metra larg nga bastoret.

Ahmeti tha se sot ata ia kthyen shkresën me hartimin e këtyre lokacioneve.

Ai tha se me zbatimin e ligjit në qendrën e Prishtinës nuk do të mund të funksionojë pothuajse asnjë bastore.

‘Ne sot i dërguam letër Ministrisë së Financave të cilën duam të ua bëjmë publike edhe juve, kjo është harta e përgatitur nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor e cila i ka paraqitur edhe institucionet fetare edhe institucionet shkollore edhe institucionet publike, dhe me një rreze nga 500 metra nga të gjitha këto institucione, do të thotë ashtu e ka kërkuar, për kazino nuk e ka kërkuar sepse kazino është 1.05 kilometra, por kjo na tregon se në qendrën e Prishtinës faktikisht nuk mund të veprojë pothuajse asnjë bastore’, ka thënë ai.

Ahmeti, gjithashtu i bënë thirrje ATK-së që sa më shpejtë që fillojë me implementimin e këtij ligji.

‘Ne me këtë shkresë i bëjmë thirrje Administratës Tatimore që sa më shpejtë të fillojë implementimin e ligjit, që të fillojë me mbylljen e lokacioneve apo zhvendosjen e këtyre lojërave të fatit në hapësirat ku do të ishte e lejuar sipas ligjit, e që fatkeqësisht për to, e fatmirësisht për komunën tonë janë hapësira të pakta dhe me distancë më të madhë nga hapësirat institucionet shkollore’, ka thënë ai.

Ndërsa, nënkryetari Dardan Sejdiu, tha se ATK-ja e ka përgjegjësi si rregullatorë i lojërave të fatit të bëjë licencimin dhe auditimin dhe qeverisja komunale është e gatshme të ndihmojë në implementimin e këtij ligji.

‘Të gjitha drejtoritë janë në dispozicion, në gatishmëri që të bëjnë implementim dhe të zbatojnë ligjin, për më shumë me lejoni të them që Komuna e Prishtinë, leje të punës për bastore, kazino dhe lojëra të fatit për vitin 2014 nuk ka lëshuar, janë lëshuar leje të punës, leje për veprimtari afariste gjatë viti 2013, disa prej tyre ende kanë afat, por gjithsesi këto leje të punës përkatësisht në përputhje me ligjin do të rishikohen dhe do të zbatohet ky ligj’, ka thënë ai.

Ndryshe, Ahmeti tha se tashmë janë vonuar me implementimin e këtij ligji pasi që nga viti 2012, ky ligj dhe ky udhëzim janë në fuqi dhe këto bastore dhe lojëra të fatit nuk do të duhej të funksiononin afër këtyre institucioneve.

Ai, gjithashtu shtoi se të gjitha lejet që janë lëshuar më parë por që janë në kundërshtim me ligjin do të anulohen./expres