Hoxhë Justinian Topulli shkruan në një postim të tij sot :
Dita kur u rrëzua idhulli
Ishte një ditë shkurti jo si gjithë të tjerat, ishte një ditë që do të kujtohet gjatë në memorien e të gjithë atyre që me vetëdije morale ishin pjesë e atyre ngjarjeve të rralla, nga ato të cilat jo çdo brezi dhe çdo njeriu i jepet mundësia t’i përjetojë. Ishin ditë dhe orë ku ndryshimet që zakonisht ndodhin në dekada po ndodhnin brenda minutave. Edhe pse vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç në ato ditë, i jam mirënjohës Zotit që i kam përjetuar me tërë emocionalitetin, frikën, shpresën, guximin dhe ekstazën që ato ngjarje të jepnin.
E kujtojmë këtë ditë shkurti, jo thjesht si mall nostalgjik i viteve të hershme të rinisë, por edhe për të falënderuar Zotin që na bëri të mundur të përjetojmë ndryshimin, të shohim me sytë tanë dhe prekim me tërë qenien tonë se idhujt dhe ikonat e kësaj bote një ditë shemben dhe se lavdia dhe adhurimi i përkasin në përjetësi vetëm Zotit.
E kujtojmë këtë ditë edhe si mësim që duhet t’i lëmë brezave që nuk e njohën atë regjim, për të mos u përsëritur më asnjëherë, sepse diktaturat dhe ligësitë njerëzore rikthehen sa herë që popujt e humbasin memorien e tyre historike.
Gjëja më e keqe që bëri ai regjim, përtej të gjitha vrasjeve, krimeve, grabitjeve dhe kufizimit të lirisë së njerëzve, ishte prishja e sistemit të vlerave njerëzore, morale, fetare dhe historike që shqiptarët kishin trashëguar nga shekujt. Një sistem që përdhosi dhe deformoi dinjitetin njerëzor dhe natyrën e tij, më shumë se çdo sistem tjetër, pasojat e të cilit i vuajmë edhe sot e kësaj dite. E “Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar. Por Allahu është shumë Bujar me krijesat e Veta.” (el-Bekare: 251)