Ditmir Bushati u kërkon Shteteve të Bashkuara që të tërhiqen nga njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar me anë të një deklarate, duke mbrojtur qëndrimin e Shqipërisë në rezolutën e OKB-së që u kërkon Shteteve të Bashkuara që të tërhiqen nga njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Bushati thotë se vota pro rezolutës, nuk është votë kundër SHBA.

“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”, deklaron ai.

Kryediplomati shton gjithashtu se rezoluta e kaluar të premten u referohet katër rezolutave të mëhershme të Këshillit të Sigurimit.

“Këto rezoluta, janë bërë pjesë e korpusit të normave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht janë të detyrueshme për ne. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së”, vijon ai.

Kritikat për këtë votë pro, Bushati i quan trillime, që përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneriteti me SHBA.

“Fakt është se parimet, orientimi dhe qëndrimet në politikën e jashtme të një vendi janë shumë më të qëndrueshme sesa trillimet e atyre, të cilët përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi”, deklaron ministri i Jashtëm.

Top Channel

Artikulli paraprakMbi një milion njerëz të infektuar nga kolera në Jemen
Artikulli vijuesFillon epoka e kriptovalutave