Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Marokut, ku u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Salaheddine Mezouar, Kryeministrin, Abdelillah Benkirane, Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve, Rachid Talbi Alami, Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mohammed Mehdi Ben Said, Ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Mohammed Boussaid, si dhe Presidenten e Konfederatës së Përgjithshme të Sipërmarrjeve të Marokut, Miriem Bensalah- Chaqroun.
Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Marokut Mezouar, palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, ndërkohë që vizita e Ministrit Bushati, si vizita e parë e një Ministri të Jashtëm të Shqipërisë në Marok, u konsiderua si një hap progresiv dhe mjaft i rëndësishëm në drejtim të eksplorimit të mundësive të bashkëpunimit, dinamizimit dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Të dy ministrat shprehën angazhimin se si dy vende Mesdhetare që ndajnë vizione dhe sfida të përbashkëta nevojitet të kenë një bashkëpunim më të strukturuar në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në funksion të përballimit të sfidave të sigurisë.
Ministri Bushati theksoi se “Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s vlerëson bashkëpunimin e Marokut me aleancën dhe rolin dinamik në Mesdhe në përballimin e sfidave të sigurisë që përbëjnë shqetësim për të gjithë ne dhe për arkitekturën e sigurisë evropiane”. Të dy Ministrat shprehën nevojën për një bashkëpunim më solid në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Palët vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë në planin shumëpalësh dhe shkëmbimin e mbështetjeve reciproke.
Të dy Ministrat shprehën nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën tregtare, bujqësore dhe turizmit. Ministri Bushati kërkoi nga pala marokene që Maroku të rishohë qëndrimin në drejtim të njohjes së shtetit të Kosovës si një realitet i pakthyeshëm dhe tashmë i konsoliduar, si dhe inkurajoi që të mbështetet kërkesa e Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, si një mesazh për bashkëjetesën dhe harmoninë në rajon.
Nga ana e tij, Ministri Mezouar vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke shprehur besimin se me vullnet të përbashkët, ato duhen zhvilluar më tej, kryesisht nëpërmjet intensifikimit të dialogut politik në nivelet më të larta dhe forcimit të bashkëpunimit dypalësh. Në fund të takimit, palët nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Marokut, për Shmangien e Taksimit të Dyfishtë si dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për Mbajtësit e Pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit.
Në takimin me Kryeministrin e Mbretërisë së Marokut, Benkirane, palët theksuan nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit politik ndërmjet dy vendeve në të ardhmen. Nga ana e tij, Ministri Bushati nënvizoi interesin e Qeverisë Shqiptare për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në sektorë të tillë si turizmi, transporti detar, minierat, bujqësia etj. Gjithashtu, palët shkëmbyen mendime mbi zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.
Më tej vijoi takimi me Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Marokut, Alami, ku u vlerësuan marrëdhëniet tradicionale dhe miqësore mes dy popujve dhe u shpreh bindja se intensifikimi i shkëmbimeve parlamentare do t`i shërbejë forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në kuadër të vizitës së tij në Marok, Ministri Bushati u takua dhe zhvilloi bisedime edhe me Ministrin e Ekonomisë dhe Financave të Mbretërisë së Marokut, Mohammed Boussaid. Palët theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në të ardhmen mes dy vendeve tona, duke evidentuar fushat e bashkëpunimit të interesit reciprok konkret dypalësh.