Dogana favorizon Devollët, ngulfat bizneset tjera

0
202
Ligjet e shtetit nuk vlejnë njëtë për të gjitha bizneset që importojnë në Kosovë.
Sidomos për kompaninë Devolli Group. Kështu vlerësojnë ata që kanë punë me Doganat e Kosovës.

Afaristët kosovarë ankohen se për ta edhe menaxhmenti i doganave të Kosovës, kujdeset që të kenë prioritet në raport me bizneset tjera pavarësisht miliona eurove borxhe.
Rast konkret është ai i kompanisë Beli Euro Fol nga Ferizaji dhe Devolli Group.

Të parit dogana tash e një vit ia ka bllokuar edhe importin, edhe eksportin me akuzën se i është shmangur TVSH-së dhe taksave doganore.

Njëjtë i ishin shmangur taksave edhe Devollët, duke deklaruar gjatë importit mallra nën vlerë. “Rasti është komplet identik”, thonë zyratrët e kompanisë “Beli Euro Fol”.
Të dy kompanitë kishin importuar lëndë të parë për ta përpunuar në vend. Vetëm se i pari nuk ia ka ulur vlerën mallrave të blerë, ndërsa Devollët e kanë bërë një gjë të tillë. Beli Euro Fol madje posedon të gjitha dokumentet se i njëjti mall pas përpunimit është eksportuar për në vendet tjera.

Devollët nuk i kanë ato. Ata kanë borxhe prej afro 1.5 milionë eurosh, ndërsa Beli Euro Fol 105 mijë.

Por, në doganë duket se i kanë shabllonët e vet. Drejtori i doganës nuk urdhëroi që të ia bllokonte as importin e as eksportin njerëzve më të fuqishëm të vendit. E, Beli Euro Fol është i bllokuar, me 20 punëtorë që tashmë kanë humbur vendet e punës. Madje, disa nga ta ia kanë mësyrë edhe Gjermanisë.
Institucioni që grumbullon të hyrat kufitare pranon borxhin e Devollëve, por ka një shpjegim.

“Dallimi është se këto kompani nuk kanë borxh TVSH-je e cila me ligj mund të aplikojë bllokim, por kanë borxh akcizën që ligji nuk parasheh bllokimin. Rrjedhimisht Dogana nuk ka bazë ligjore për aplikimin e bllokimit të importi kur kompania nuk ka gjeneruar borxh gjatë importi, por gjatë prodhimit”, tha për Gazetën Fjala, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.
Por, ankuesit thonë se ky është trik i Rafunës dhe Administratës Tatimore të Kosovës për t’i falur Devollët.

“TVSH është taksë që paguhet mbi mallin bruto dhe çdo zvogëlim i vlerës së mallit automatikisht nënkupton edhe borxhe të TVSH-së. Madje, nëse një kompani ka borxhe të akcizës, ajo domosdomshëmrisht ka edhe të TVSH-së nëse është subjekt i atij tatimi. E Devollët janë”.

Pabarazia është edhe më e madhe, sepse Beli Euro Fol pretendon se nuk ka borxhe fare ndaj shtetit, as të TVSH-së e as të taksës doganore, për çka lënda është në gjykatë.
“Krejt çka kërkoj unë është që të më lirohet importi dhe eksporti në mënyrë që të mund të punoj. Gjykata le ta kryejë punën e vet. Nëse për çdo pretendim bllokohen importi dhe eksporti pa vendosur organet e drejtësisë, atëherë dogana mund të falimentojë kur të dojë secilin biznes. E kush do të na i paguajë ne dëmet nëse fitojmë rastin. Ato janë multimilionëshe. A do t’i nxjerrë ato para Rafuna nga xhepi i tij apo do të jenë para të shtetit”, pyet Skënder Guta, menaxher në Beli Euro Fol.

Rasti edhe më identik edhe sa i përket dyshimeve të doganës ka të bëjë me importin e miellit. Siç ka raportuar Gazeta Express, Devollët kishin importuar krunde nga Serbia të cilin e kishin paketuar si miell. Kjo nuk mund të bëhet pa ndryshim të kodit doganor.

E për ndryshim kodi  akuzohet Beli Euro Fol. Por, ata zotohen se e kanë bërë këtë pasi kodin të cilin po e kërkon dogana nuk është i pranueshëm për këtë institucion pasi Kosova nuk është pjesë e Konventës së Bazellit dhe dogana ka qenë në dijeni vazhdimisht për këtë.

Një gjë të tillë nuk ja kanë kërkuar për tetë vite sa ka importuar, ndërsa vitin e fundit thotë se me qëllim po donë të ja bllokojnë biznesin.
“Ata me siguri kanë marrë para prej dikujt me na shkatërru. Po dyshojnë se i kemi ikë taksës doganore. Materialin e ka vlerësu për reciklim ndërsa po e konsiderojnë si material të gatshëm për treg”, kishte thënë për Gazetën Fjala, Gazmend Mustafa, pronar i kompanisë Beni Eurofol.

Sipas tij, bllokada nga dogana ka bërë që ai të mos mund të kryejë porosi që shkojnë në miliona euro për prodhim të karrigeve për stadiume në Gjermani, të cilat ai do t’i prodhonte në Kosovë. Me atë do t’i punësonte edhe 30 punëtorë shtesë. Por, ai tashmë e ka ndarë mendjen që të ikë me projeksionet për investim prej 4.5 milionë eurosh për në Maqedoni. Për këtë vendim të tij, kishte raportuar edhe më herët./kohaislame