I riu i Manchester Cityt, kosovari Bersant Celina ka tërhequr vëmendjen e gjigantit gjerman, Dortmund, shkruan gazeta britanike “The Sun”.
Lajmin e botuar në “The Sun” e ka publikuar edhe faqja zyrtare e klubit të Cityt, Mcfcwatch.com, ndërsa thekson se agjentët e Dortmundit e kanë monitoruar përfaqësuesin e Kosovës, i cili është në huazim në FC Twente për një sezon së bashku me të rinjtë tjerë të Cityt, Enes Ynal dhe Yaw Yeboah.
Mesfushori 20-vjeç ka bërë një paraqitje pozitive në Eredivisie me 3 gola në katër ndeshjet e para të ligës.
“Liga holandeze është një hapësirë e famshme e zhvillimit të talenteve të reja dhe agjentët e Dortmundit janë impresionuar nga aftësitë e mesfushorit”, shkruan faqja zyrtare e Cityt, raporton Koha.net.
“Pep Guardiola thuhet të jetë fans i Celinës, i cili vetëm sezonin e kaluar bëri paraqitjen e tij të parë me ekipin e parë, por Dortmundi do të tentojë ta tërheq atë në Signal Iduna Park me premtimin se do të ketë më shumë paraqitje me ekipin e parë sesa që do të gjejë në City”, shkruan më tej Mcfcwatch.com.
Faqja më tej shkruan se Celina ka nënshkruar në maj një kontratë katër vjeçare me Cityn, duke e lidhur atë për klubin deri më 2020, dhe për ta marrë një prej talenteve të reja më të shndritshëm do të duhet paguar shuma të majme parash.