Dosja e Gani Gecit u Sjell Telashe Prokurorëve

Deklarata e të pandehurit Gani Geci të cilën e kishte dhënë pas vrasjes së Ruzhdi Shaqirit, para prokurores së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku i ka sjellë shumë telashe sistemit prokurorial.
 
Siç transmetoi emisioni Drejtësia në Kosovë në emisionin e fundit, kjo deklaratë pak kohë pasi ishte dhënë nga Gani Geci, fillimisht i ishte kërkuar prokurores Vahide Badivuku nga kolegu i saj Ismet Ujkani dhe më pas nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Shyqeri Syla. Ismet Ujkani dhe Shyqeri Syla i kishin thënë prokurores Badivuku se atë deklaratë po e kërkonte kryeprokurori i shtetit Sylë Hoxha.
 
Prokurorja Vahide Badivuku, thotë se kishte vendosur t`ia dërgonte deklaratën kryeprokurorit Sylë Hoxha pas asaj që i kishte thënë kolegu Ismet Ujkani.
 
“Prej kolegut Ismet Ujkani është kërkuar procesverbali mbi deklarimin e të pandehurit, në emër të Kryeprokurorit Sylë Hoxha”, tha prokurorja Badivuku për emisionin Drejtësia në Kosovë.
 
Në intervistën ekskluzive dhënë për Drejtësia në Kosovë, prokurorja Badivuku ka deklaruar se e kishte fotokopjuar procesverbalin ashtu siç ia kishte kërkuar prokurori Ismet Ujkani, e kishte futur në zarf dhe e kishte nisur për në Prishtinë tek ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha.
 
“E kam printu e kam fut në zarf e kam vulos dhe nënshkru edhe e kam nis për në Prishtinë. Administratori Ali Mehmeti kur ka shku në Prishtinë se ka gjet kryeprokurorin në zyre dhe më ka thirr në telefon, i kam thënë me ma kthy zarfin ashtu si e kam nisur”, deklaroi prokurorja Badivuku.
 
Prokurorja Badivuku ka thënë se procesverbalin ia ka kërkuar edhe shefi i saj Shyqeri Syla.
 
“Kryeprokurori Shyqeri Syla e ka kërku procesverbalin dhe më ka thënë se po e kërkon Sylë Hoxha, i kam thënë me ma bo kërkesën me shkrim, nuk e ka bërë. Dhe pas dy ditësh e ka marrë krejt lëndën, e ka mbajt për gjysmë ore dhe jam e bindur se e ka fotokopjuar procesverbalin”, ka deklaruar Badivuku.
 
Siq transmetoi Drejtësia në Kosovë, Ali Mehmeti, e ka nisur atë zarf për në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit në Prishtinë, mirëpo ai thotë se nuk e ka ditur se çka ka brenda në zarf.
 
“Unë se kam dit se çka ka zarfi, shkoj shpesh në Prishtinë dhe e kam dërgu. Kryeprokurori s’ka qenë aty, e kam thirr në telefon prokuroren dhe më ka thënë me e kthy zarfin tek ajo, edhe e kam kthy”, ka thënë administratori Ali Mehmeti.
 
Prokurorja Badivuku kishte filluar të dyshonte në kërkesën e kolegut dhe shefit të saj.
 
“Mënyra se si ma kanë kërkuar atë procesverbal më ka bërë me dyshu dhe i kam kërkuar takim Kryeprokurorit Sylë Hoxha. Ai më ka prit në takim dhe më ka thënë se nuk di gjë dhe se nuk e ka kërkuar deklaratën e Gani Gecit”, thotë Badivuku.
 
I kontaktuar nga Drejtësia në Kosovë, Kryeprokurori i Shtetit Sylë Hoxha, tha se nuk e ka kërkuar kurrë nga Shyqeri Syla dhe Ismet Ujkani një gjë të tillë.
 
“Unë se kam kërkuar atë deklaratë dhe as që me ka interesuar. Tani ndaj këtyre dyve, Shyqeri Sylës dhe Ismet Ujkanit janë duke u zhvilluar hetime nga Zyra e Prokurorit Disiplinor rreth kësaj çështjeje”, ka deklaruar Kryeprokurori i Shtetit Sylë Hoxha.
 
I kontaktuar nga Drejtësia në Kosovë, prokurori Ismet Ujkani nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje.
 
Ndërsa siç transmetoi Drejtësia në Kosovë, Kryeprokurori i Mitrovicës Shyqeri Syla e pranon se ndaj tij Zyra e Prokurorit Disiplinor është duke zhvilluar hetime.
 
“Kundër meje është duke u zhvilluar një procedurë disiplinore”, deklaroi Shyqeri Syla, i cili sipas prokurores Vahide Badivuku e kishte kërkuar deklaratën e Gani Gecit në emër të Kryeprokurorit të Shtetit Sylë Hoxha.
 
Drejtësia në Kosovë transmetoi se Zyra e Prokurorit Disiplinor ka përfunduar hetimet ndaj prokurores Badivuku pasi kjo e kishte kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak për të pandehurin Gani Geci.
 
Zef Prendrecaj, nga Zyra e Prokurorit Disiplinor deklaroi se prokurorja Badivuku sipas hetimeve të tyre nuk ka vepruar në përputhje me normat ligjore dhe etike kur ka vendosur për masën e arrestit shtëpiak për Gani Gecin.
 
Po ashtu Prendrecaj, siç transmetoi Drejtësia në Kosovë, ka deklaruar se janë duke u hetuar edhe dy persona të tjerë rreth aferës së zarfit në të cilën ndodhej deklarata e të pandehurit Gani Geci.
 
Hulumtimi i emisionit Drejtësia në Kosovë, tregoi se deklarata e të pandehurit Gani Geci kishte rrjedhur nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës në kohën sa ishin duke u zhvilluar hetimet, dhe se dikujt nga jashtë i kishte interesuar se çka kishte deklaruar Gani Geci pas vrasjes së Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht të vitit të kaluar në qendër të Skënderajt.kohaislame
Artikulli paraprakPasurimi përmes tenderëve
Artikulli vijuesCERN: Rinisja i përshpejtuesit më të fuqishëm të grimcave në botë