Dosjet e Sigurimit të zhdukura nga politika, 60 ekspertë në SHISH dhe Ministrinë e Brendshme vihen në kërkim për gjetjen e tyre

Autoriteti i Hapjes së Dosjeve nis punën për kërkimin e dosjeve të ish-sigurimit, të cilat janë zhdukur nga politikanë të ndryshëm. Dihet tashmë që një pjesë e dosjeve gjatë këtyre 26 viteve kanë pësuar ndryshime nga personazhe të ndryshme të skenës politike, që vijojnë të jenë aktivë, ndaj evidentimi i tyre nuk do të jetë aspak i lehtë për Autoritetin.

Ky i fundit tashmë i ka ngritur grupet e punës që do të merren me ketë proces, ka kryer trajnimin e tyre dhe javës në vijim do të fillojë konkretisht procesi i kërkimit të dosjeve që janë zhdukur dhe grumbullimi i dokumenteve të tjera.

Në total janë rreth 60 persona të cilët janë trajnuar dhe do të jenë pjesë e grupeve të punës që do të merren me kërkimin e dosjeve të zhdukura dhe grumbullimin e materialeve.

Po ashtu një ekspertët do të merren edhe me verifikimin dhe evidentimin e ndërhyrjeve që dosjet kanë pësuar gjatë këtyre viteve. Dihet tashmë që personat me influencë kanë pasur gjithë kohën e nevojshme për të ndërhyrë në përmbajtjen e dosjes së tyre dhe Autoritetin e pret një sfidë e madhe në këtë drejtim.

Marrja e dosjeve nga Autoriteti do të fillojë nga ministria e Brendshme, ku ndodhen një pjesë e mirë e dosjeve. Pas grumbullimit të tyre grupe me ekspertë do të merren me evidentimin e atyre dosjeve në të cilat ka pasur ndërhyrje dhe manipulime.

Verifikimi i dosjeve të manipuluara dhe me probleme pritet të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, madje në këtë drejtim Autoriteti pritet të ketë edhe ndihmën e ekspertëve gjermanë, të cilët kanë një eksperiencë të madhe në këtë drejtim pasi e kanë kaluar më herët procesin e hapjes së dosjeve.

Autoritetin e pret një punë e madhe dhe mision i vështirë për të hedhur dritë mbi një nga periudhat më të errëta më të errëta, siç është diktatura komuniste. Synimi kryesor i procesit të hapjes së dosjeve është pikërisht pastrimi i administratës dhe politikës nga spiunët e ish-Sigurimit dhe kjo ishte arsyeja e ngritjes së Autoritetit të Hapjes së Dosjeve me vendim të Parlamentit.

Arsyeja më e rëndësishme e hapjes së dosjeve lidhet jo vetëm me domosdoshmërinë e bërjes transparente të periudhës komuniste, por një nga detyrat kryesore ka të bëjë me pastrimin e politikës dhe administratës nga spiunët e ish-Sigurimit, pasi një pjesë e tyre vijojnë të jenë aktivë si në skenën politike ashtu edhe në nivele të larta të administratës publike.

Madje zhvillimi i këtij procesi ishte edhe rekomandim i posaçëm i eurodeputetit Knut Fleckenstein, gjatë vizitës që ky i fundit zhvilloi në Shqipëri pak ditë më parë thote Sot. Në takimin me anëtarët e Autoritetit, Fleckenstein e ka bërë të qartë se BE interesohet për pastrimin e politikës dhe administratës nga spiunët si edhe ka kërkuar që procesi i hapjes së dosjeve të jetë sa më transparent për publikun dhe të interesuarit.

Autoriteti filloi hapjen e dosjeve pak javë më parë dhe e para ishte dosja e Musine Kokalarit, në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së saj. Ndërkohë pak ditë më parë qeveria miratoi edhe vendimin që i hap rrugë fillimit të hapjes së dosjeve si edhe mbledhjen dhe grumbullimin e tyre.

Qeveria urdhëron ministrinë e Brendshme, atë të Mbrojtjes dhe SHISH që të vendosin në dispozicion të Autoritetit të Hapjes së Dosjeve të gjithë dokumentacionin që ato zotërojnë në arkivat e tyre.

Artikulli paraprakIdrizi: Vetting-u, urgjent!
Artikulli vijuesZbulohen pasuritë e prokurorëve. Kush janë më të pasurit dhe më të varfërit e akuzës