Gjermania do të prodhojë letërnjoftime për refugjatët

Qeveria gjermane ka arritur sot një marrëveshje për prodhimin e letërnjoftimeve për refugjatët, në një përpjekje për të kontrolluar më mirë valën e migrantëve nga Lindja e Mesme që po vijnë në këtë vend.

Në letërnjoftimet që pritet ti lëshohen migrantëve nga mesi i shkurtit, do të ketë informacione në lidhje me datën e lindjes, kombësinë, gjininë, si dhe fotografinë dhe detajet rreth gjatësisë dhe ngjyrës së syve, transmeton lajmi.net.

Qendrat e regjistrimit do të marrin shenjat e gishtave të refugjatëve, kurse të gjitha të dhënat do të ruhen në qendrën kryesore të regjistrimit.

“Në këtë mënyrë do të përpiqemi të identifikojmë më mirë njerëzit që janë duke u përpjekur të fshehin identitetin e tyre”, ka deklaruar ministri i brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere.

Detajet mbi gjendjen shëndetësore dhe informacionet tjera mbi kualifikimet akademike dhe profesionale të refugjatëve, gjithashtu do të ruhen me qëllim të përshpejtimit të procesit të integrimit të tyre.

Por për të shmangur regjistrimin e personit të njëjtë dy herë, qendra do të pajiset me sisteme të avancuara që do të bëjnë krahasimin e shenjave të gishtërinjve.

Qeveria gjermane shpreson se do të fillojë të lëshojë letërnjoftimet për refugjatët kah mesi i shkurtit, pasi këtë vendim fillimisht duhet ta miratojë Parlamenti.

Artikulli paraprakErdogan: Turqia ka dërguar ushtarë në Irak me kërkesë të Bagdadit
Artikulli vijuesVIDEO – Enver Zymberi dhe nëna e tij