Dr. Ingrid Mattson është një e konvertuar kanadeze. E lindur dhe e rritur në Ontario të Kanadasë në një familje katolike, ajo e braktisi njëherë e mirë fenë kur ishte adoleshente, por më pas pranoi Islamin në fund të shkollës së mesme. Ajo tregon: Në verën e vitit 1987 po udhëtoja me tren drejt Kolumbisë Britanike për të filluar një punë për mbjelljen e pemëve në mal. Sapo kisha përfunduar shkollën e mesme dhe sapo kisha nisur një studim vetjak të Islamit. Rastësisht disa ditë përpara udhëtimit tim në një librari kisha blerë librin e titulluar Islami shkruar nga Fazlur Rahmani. Duke lexuar atë libër teksa udhëtoja, vendosa të aplikoja për të ndjekur studimet universitare në degën e Studimeve Islame. Libri i tij ndezi tek unë dëshirën për të studiuar trashëgiminë klasike të teologjisë dhe të ligjit islam. Duke bërë një hap përpara, i shkrova një letër autorit të librit duke i përshkruar situatën time dhe duke e pyetur nëse mund të studioja me të. E hodha letrën në një kuti postare dhe e harrova krejtësisht, derisa u ktheva në shtëpi në muajin gusht. Atje gjeta një letër të shkruar prej tij, ku më ftonte të shkoja në Universitetin e Çikagos për të studiuar me të. Fazlur Rahmani vdiq përpara se unë të mbërrija në Çikago, por libri dhe inkurajimi i tij më frymëzuan të nisja rrugën e dijes, e cila për mua ka qenë kaq shpërblyese.
Dr. Ingrid Mattson është profesoreshë në Macdonald Center for Islamic Studies dhe Christian-Muslim Relations në Seminarin e Hartfordit në Hatford, Konektikat, SHBA.
Dr. Mattson përfundoi doktoraturën në Studime Islame në Universitetin e Çikagos më 1999. Hulumtimet e saj fokusohen në ligjin dhe shoqërinë islame; ndër artikujt e saj janë edhe artikujt mbi skllavërinë, varfërinë dhe teorinë ligjore islame.
Dr. Mattson ka lindur në Kanada. Ajo ka studiuar filozofi në Universitetin e Vaterlosë, Ontario (1987). Në vitet 1987-1988 ajo ka jetuar në Pakistan, ku ka punuar me refugjatet afgane. Në vitin 2001 është zgjedhur zëvendëspresidente e ISNA-s (Shoqata Islame e Amerikës Veriore) dhe në vitin 2006 u zgjodh presidente e kësaj organizate.
Përktheu: Eglantina Muça