Ministria e Drejtësisë nuk ka përgjigje për ekstradimin ose jo të Gafurr Dugollit, shefin e protokollit të Ministrisë së Forcës dhe sigurisë së Kosovës. Të pyetur nga TvShenja se cili është vendimi për fatin e tij, do të ekstradohet në Serbi apo do të lihet të shkojë në shtetin e tijë amë Kosovën, nga Ministria e Drejtësisë pa asnjë përgjigje konkrete tashmë disa ditë nga arrestimi. Ndërkohë televizioni Shenja mëson se avokati mbrojtës i Gafurr Dugollit është kryetari i Odës së Noterëve Nikolla Dodevski, avokat i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili e ka përfaqësuar ish kryeministrin në disa procese gjyqësore. Tentuam të marrim prononcim nga avokati i Dugollit, por ai nuk deshi të japë asnjë koment lidhur me këtë rast. Shkurtimisht na tha se nëse më kërkoni për rastin e Dugollit, nuk kam asgjë për të thënë, do tu përmbahem komenteve. Është një lëndë për të cilën nuk mund të flasë publikisht. (F.I).
Autoritetet e Maqedonisë po vazhdojnë të taktizojnë me rastin e paraburgosjes së shefit të protokollit të FSK-së Gafurr Dugolli. Këshilli gjyqësor akoma nuk ka marrë një vendim, një ditë para se ministri i drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se do të lirohet Dugolli brenda ditës së djeshme.
Nëse këshilli gjyqësor vendos se janë plotësuar kushtet për ekstradimin e të huajit, në përputhje me Ligjin për procedurë penale, atëherë atë do ta vërtetojë edhe me vendim, ndaj të cilit i ndaluari, avokati i tij por edhe prokurori publik në detyrë kanë të drejtë ta ankimojnë në këshillin penal të gjyqit të instancës tjetër më të lartë, në afat prej tre ditëve nga dita e marrjes së vendimit. Vendimi fuqiplotë që vërteton supozimet për ekstradim bashkë me vendimin për paraburgim i dorëzohen Ministrisë së Drejtësisë, informon Alsat-M.
Pas shumë tentimeve për ta kontaktuar por edhe pas premtimit për një gjë të tillë, Ministri e Drejtësisë ende nuk ka komentuar rastin. Vëllai i Gafur Dugollit thotë se me mbajtjen e tij në paraburgim, autoritetet e Maqedonisë po njollosin Kosovën.
“E kemi thënë dhe e themi prapë se kjo është një padrejtësi e madhe. Këtu po mbahet tashmë një javë një qytetarë i Republikës së Kosovës, në kundërshtim me çdo rregull dhe çdo ligj sepse ai është qytetarë i lirë i Kosovës. Ai nuk ka kryer asnjë krim as në Kosovë dhe as në Maqedoni në shtetin ku e kanë ndalë. Përveç qytetar, ai është edhe zyrtar i Kosovës dhe kjo është padrejtësi dhe përçmim dhe njollosje e Kosovës që i bëhet nga këto autoritete,” u shpreh Bujar Dugolli, vëllai i Gafur Dugollit.
Ndryshe, lista e flet-arresteve të lëshuara nga Serbia për herë të fundit është përditësuar në vitin 2015. Që nga përditësimi i fundit, Dugolli ka udhëtuar shpesh jashtë vendit. Disa herë ka vizituar Maqedoninë por ka udhëtuar edhe në vendet e zonës Shengen dhe askund nuk është ballafaqur me probleme të këtilla. Ndaj Dugollit nuk ka asnjë aktakuzë tjetër pos asaj të lëshuar nga Serbia, e cila akuzon atë për krime lufte në Kosovë. Dugolli është edhe ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.