Dy ish-ministra të Kulturës rrezikojnë deri tetë vjet burgim

Armond Morina pritet të jetë “mysafir” në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Bashkë me të do të jenë edhe dy ish-ministra të Kulturës, Astrit Haraqija e Valton Beqiri, si dhe Nehat Fejza, për të dhënë përgjegjësi penale për projektet e parealizuara të filmave “Mysafiri në sofër” dhe “Power Cuts”. Të katërt besohet se janë bërë pjesë e një “sofre” korrupsioni vite më parë për këto projekte të parealizuara. Ata do të akuzohen këtë muaj për vepra që rrezikojnë burgim jo shumë të shkurtër.

Prokuroria e Qarkut e Prishtinës ka gjetur prova të bollshme për të akuzuar Valton Beqirin për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe pronarin e kompanisë “Morina Films”, Armond Morina, në lidhje me filmin “Mysafir në sofër”. Një pjesë e parave janë dhënë e harxhuar për pica e “pleskavica”, derisa filmi nuk është shfaqur kurrë në ekranin e madh.

Ish-ministri i Kulturës, Haraqija, dhe pronari i kompanisë, “Concordia Pictures”, Nehat Fejza, po akuzohen lidhur me një film tjetër po kështu të parealizuar të quajtur “Power Cuts”. Mbi 180 mijë euro janë dhënë për të, derisa filmi – titulli i të cilit u ndërrua në “Ndjekja e larës” – kurrë nuk është realizuar. Për këto dy projekte, Prokuroria nuk ka gjetur asnjë kontratë të protokolluar në Ministrinë e Kulturës./koha/kohaislame

Artikulli paraprak50 shqiptarë rrahën në mes vete, helikopterët gjerman bartin të lënduarit
Artikulli vijues“Mbrojtja civile” dyshohet se kreu shpërthimin terrorist