"Dy shtete, Kosovë e Shqipëri nuk u bënë me dëshirë"

Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në Kosovë jo vetëm që po festohet gjithandej, por edhe po shprehet haptas keqardhje që shqiptarët nuk jetojnë në një shtet të vetëm në Ballkan.

Në një akademi për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë të organizuar nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi, janë shpalosur fakte e argumente historike që quan deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, duke rikujtuar se kjo datë megjithatë kishte nda shqiptarët në shumë shtete.

​​Kryeministri Hashim Thaçi tha se kur flitet për formimin e shtetit shqiptar dhe ngritjen e flamurit në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit më 28 nëntor të vitit 1912, duhet kujtuar të gjithë ata që sakrifikuan dhe ranë për lirinë e të gjithë shqiptarëve në të gjitha trojet etnike.

Krijimi i dy shteteve të pavarura, përkatësisht Shqipërisë dhe Kosovës, për kryeministrin Thaçi nuk është zgjidhja më e mirë, por megjithatë është një realitet.

“Kosova, ajo që kishte dhënë kontributin themelor për pavarësinë e Shqipërisë me kryengritje të ideuara nga Hasan Prishtina dhe shumë vise të tjera kishin mbetur jashtë Shqipërisë. Sot, ka të tillë që na thonë se i keni dy shtete. Dy shtete ne nuk i bëmë se kishim dëshirën tonë. Ky është një realitet. Por, më me dëshirë dhe shumë më mirë do të jetonim në një shtet të vetëm brenda familjes evropiane”, është shprehur kryeministri Thaçi.

Ndërkohë, veprimtari i njohur, Adem Demaçi, i njohur si simbol i rezistencës në Kosovë, bëri një rekapitullim të zhvillimeve historike në rajon që përfunduan me pavarësinë e Shqipërisë, 100 vjet më parë. Por, si tha ai, kjo pavarësi ndau shqiptarët padrejtësisht në 6 shtete të ndryshme.

​​“Me ndihmën e Zotit, por edhe të luftës dhe qëndresës sonë, erdhën deri në këtë situatë që sot të shohim, pa dëshirën tonë, ti kemi dy shtete, por prapë më mirë dy shtete sesa vetëm një gjysmë shteti. Jemi dy shtete shqiptare e i këndojmë dy himne, ky është njëfarë paradoksi që se ka askush në botë, por ne jemi popull i paradokseve. Ne mbërrijmë e bëjmë çudira të cilat nuk I parasheh askush”, ka thënë Demaçi.

Ndërkaq në fjalën e tij, akademik Rexhep Qosja shpalosi disa fakte historike që quan deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në nëntorin e vitit 1912. Me pavarësinë e saj, Shqipëria nuk fitoi lirinë e dëshiruar, kurse shqiptarët u ndanë në shumë shtete, tha me këtë rast Qosja.

“Konferenca e Ambasadorëve në Londër do t’i sjellë dëshpërim të madh popullit shqiptar dhe Ismail Qemalit. Jashtë kufijve të Shqipërisë ajo do të lë më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare. Më shumë sesa gjysmën e popullatës shqiptare. Serbisë, Malit të Zi e Greqisë, që kishin ushtruar dhunë e terror të paparë më parë ndaj shqiptarëve, që kishin bërë spastrime etnike në tokat shqiptare, do t’i jepeshin tokat më pjellore, burimet e lumenjve, qytetet më të zhvilluara shqiptare”, ka thënë Qosja.

Jashtë kufijve të Shqipërisë ajo do të lë më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare.

Edhe akademik Rexhep Qosja ka shprehur besimin e tij se ideali i Ismail Qemalit dhe bashkëveprimtarëve të kohës së tij që fillimisht sollën pavarësinë e Shqipërisë kurse sot pavarësinë e Kosovës, një ditë, sipas tij,do të kulmoj edhe me sendertimin e idealit të Shqipërisë etnike.

Ndryshe, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej, asnjëherë më parë në Kosovë lidershipi i saj nuk ka folur më shumë për idealin e bashkimit kombëtar shqiptar sesa në ditët kur po kremtohet 28 nëntori dita e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë.

Artikulli paraprakFillon konferenca e Dohas
Artikulli vijuesMenaxhimi i buxhetit familjar, detyrë e vështirë