Janë dy ujitje të cilat nuk i zbret kush tjetër përveç Allahut të Lartësuar, dhe secila prej tyre është e ndrëlidhur me tjetrën:
E para: ujitja e zemrave me shpallje. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është zbrijte nga Zoti i botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.” (Esh-Shua’ra, 192-195). Nuk ka jetë e as përmirësim për zemrat, veçse me këtë ujitje: me shpalljen e zbritur të Allahut dhe me fjalët e Tij të madhëruara: “Atij (Kuranit) nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet. (Fussilet, 42)
E dyta: ujitja e tokës me ujë. Allahu i Lartësuar thotë: “Është Ai që e zbret shiun, kur ata kanë humbur çdo shpresë dhe përhap mëshirën e Vet; Ai është Mbrojtësi i vërtetë dhe i Denji për falënderim.” (Eshu-Shura, 28) dhe: “A e shihni ujin që pini? Vallë, ju e zbrisni atë prej reve apo Ne e zbresim?” (El-Uakia, 68-69).
Allahu i Madhërishëm i ka përmendur disa herë në Kuran këto dy ujitje në formë të njëpasnjëshme. Në to bëjnë pjesë edhe fjalët e Tij: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur. Dijeni, se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj! Ne ju sqarojmë shpalljet, në mënyrë që ju të kuptoni!” (El-Hadid, 16-17). Domethënë: ashtu siç Allahu e ngjall tokën e vdekur me ujë, po ashtu Ai i ngjall zemrat e vdekura me anë të shpalljes. Dhe secila prej këtyre dyjave është shkak për jetën. Kësisoj, uji është shkak për jetën e trupit, ndërkaq shpallja është shkak për jetën e zemrave. Në anën tjetër, nivelet e zemrave karshi shpalljes janë sikur nivelet e tokës karshi shiut. Siç lexojmë në Buhari dhe Muslim nga Ebû Musa (radijAllahu anhu) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Shembulli i udhëzimit dhe i dijes me të cilat Allahu më dërgoi, është si shembulli i shiut të shumtë, i cili bie mbi tokë. Një pjesë e saj ishte e mirë dhe e pranoi ujin, dhe kështu prej saj mbinë shumë bimë dhe barë i njomë. Një pjesë tjetër e saj ishte e fortë dhe e mbajti ujin (nuk e thithi), dhe përmes saj Allahu u solli dobi njerëzve, të cilët pinë, ujitën dhe mbollën. Ndërsa një pjesë e saj ishte e rrafshët, as nuk e mbajti ujin dhe as nuk mbinë prej saj bimët. Pra, ky është shembulli i atij që mëson për fenë e Allahut dhe të cilit i ka bërë dobi ajo me të cilën Allahu më dërgoi; ai mësoi vetë dhe i mësoi tjerët. Dhe shembulli i atij që u tregua i shkujdesur dhe që nuk e pranoi udhëzimin e Allahut me të cilin jam dërguar.”
Allahu me mirësinë e Tij na dhëntë të dyja ujitjet.
Shejh AbduRrezzak El-Bedr