Zelfije Morina ishte nisur për t’i kryer vizitat e sëmundjes që po ia sillte pleqëria te një mjek në komunën e Klinës. Si zakonisht shoqërohej me veturën e të nipit dhe në krahë i rrinte bashkëshorti Muhameti. Por, ditën e 23 dhjetorit të vitit të kaluar ajo për pak sa nuk humbi jetën. Derisa kthehej nga mjeku në udhëkryqin që e lidh Gjakovën me magjistralen Pejë – Prishtinë, vetura në të cilën gjendej Zelfija pësojë një aksident të rëndë komunikacioni.
Nga përplasja u lëndua rëndë Zefija 73 vjeçare, e cila për shkak të plagëve të marra kishte pasur gjakderdhje duke e humbur vetëdijen. Si pasojë e aksidentit ajo ishte hospitalizuar fillimisht në Spitalin e Pejës duke u transferuar më pas në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Që nga koha e aksidentit ajo ka mbetur e shtrirë.
Dhimbja me e madhe për të është lënja në bashkëfajësi për aksidentin.
Muhamet e Zelfije Morina, nga Gulluboci i Malishevës po kërkojnë drejtësi të organet kompetente për gjithë atë çfarë ka ndodhur.
Në mes të sëmundjes dhe gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej Muhameti, ai rrëfen për atë çfarë kishte ndodhur ditën e 23 dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se shkaktari i këtij aksidenti iu kishte dal në shiritin në të cilin ata ishin duke lëvizur.
“Me 23 dhjetor nipi Florimi na ka dërguar për me u kontrolluar të doktori Pal Rexha në Klinë, pas kontrolles që e kemi bërë, jemi nisë me ardhë për në shpi, kur kemi ardhë në Dollc, të Ura e Klinës na ka ndodhë një aksident, dhe shkaktari i këtij aksidenti është kthy në drejtim të rrugës për Gjakovë rrugës pa u ndalë hiç. Zelifja ka mbetur për dekun dhe ka pas gjakderdhje të madhe, unë kam pas vetëdije, ndërsa nipi Florimi i kishte humbur vetëdija. Ka ardhë ambulanca dhe na ka qu në Spitalin e Pejës, ndërsa Zelfijën e kanë qu për Prishtinë e cila ka qenë pa vetëdije katër ditë e katër net”, ka thënë Muhameti.
Ndërkaq, sipas raportit të Policisë së Kosovës, të bërë pasi që kishte ndodhë aksidenti, thuhet se deri të ky aksident ka ardhur për shkak të mjegullës së madhe dhe mos ndezjes së dritave nga ana e veturës në të cilën ndodhej Muhameti së bashku me gruan dhe nipin.
“Me datën 23.12.2015 në rrugën Pejë – Prishtinë në udhëkryqin Klinë – Gjakovë në ora 09:35 ka ndodhur aksident me dëme të mëdha materiale dhe katër persona të lënduar. Për deri të aksidenti ka ardhur ku automjeti A ka dashur të kyçet nga rruga Pejë – Prishtinë në rrugën Klinë – Gjakovë pasi që koha ka qenë me mjegull nuk e ka vërejtur automjetin B që ka qenë në qarkullim në drejtim të Prishtinës pa drita të ndezura e godet”, thuhet në raportin e policës së nxjerrur menjëherë pas aksidentit.
Mirëpo, sipas Muhametit, ai dyshon se raporti i policisë është një raport i manipuluar sepse atë ditë nuk ka pasur mjegull, për këtë ai thotë se ka edhe dëshmitarë.
“ Policia e Klinës e kanë mbajte renin, kërkush prej policisë nuk ka fole me neve kurgja, ndersa ata e kishin pas shkru në raport se ka qenë mjegull edhe jemi kanë pa drita, po atë ditë nuk ka qenë mjegull, unë për këtë kam dëshmitarë se nuk ka pasë mjegull. Unë jam kanë i vetëdijshëm se mjegull nuk ka pas, dhe kompania e sigurimeve tash ka na lanë në bazë të procesit të policisë fajtor 50 me 50. Procesi nuk është në rregull, procesi është i montuar. Unë kërkoj që me na dalë dikush në ndihmë edhe me dalë e vërteta e jo sikur që është shkruar në raport të policisë”, ka deklaruar Muhameti.
Ai thotë se aksidentuesi as që i ka ndihmuar. Ndërkohë që pavarësisht se kanë kaluar 7 muaj ata ende nuk janë kompensuar.
“Personi I.S nga Prishtina i cili na ka rënë në kerr as që ka ardhë për të na ndihmuar ose për të na ka kërkuar falje, sepse, ai ka qenë fajtorë, na jemi kanë në rrugën duke ecë në rrugën tonë në drejtim të Prishtinës, ai është kthyer për Gjakovë dhe është dashtë me u ndalë, as nuk ka kërkuar falje e as që ka ni për ne. Po bëhen shtat muaj që nuk kemi marrëveshje me të as me kompani për të na kompensuar dëmin që na është shkaktuar”, ka thënë në fund Muhameti.
Zëri”, ka provuar të marrë përgjigje nga kompania e sigurimeve “SigKos”, kompani në të cilën ka qenë e siguruar vetura e personit I.S ku dhe ligjërisht kjo kompani do ta bëjë kompensimin e dëmeve të familjes Morina.
Në përgjigjën e kësaj kompanie thuhet se “Nuk mund t’i bëjmë publike të dhënat e palës pa autorizimin e tij, sepse, kjo përbën shkelje të privatësisë”, thuhet në përgjigjën e Kompanisë së Sigurimeve “SigKos”.
Duke i parë padrejtësitë dhe manipulimet që u janë bërë, Muhameti thotë se këtë rast do ta dërgoj edhe në Gjykatë dhe së kërkon drejtësi për dëmet e shkaktuara nga ky aksident.