Sektori privat po shtyp punëtorët

Punëtorëve në sektorin privat në Kosovë vazhdojnë t’iu shkelen të drejtat që iu garanton Ligji i punës.

Shkeljet më të shumta punëtorëve në Kosovë iu bëhen te mosrespektimi i kontratave të punës dhe stërzgjatja e orarit të punës, vlerësojnë përfaqësues të punëtorëve dhe të shoqatave ekonomike në Kosovë.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi tha për Radion Evropa e Lirë se nuk janë të kënaqur me zbatimin e Ligjit të punës dhe kërkoi nga institucionet kompetente që të marrin masa konkrete për ata që shkelin të drejtat e punëtorëve.

“Nuk mund të themi se nuk respektohet fare Ligji i punës, por jo në masën e duhur. Ky ligj nuk respektohet nga sektori privat, pasi që sektori publik qëndron shumë më mirë. Në sektorin publik ka probleme të mëdha”, bëri të ditur ai.

Arifi theksoi se nenet e Ligjit të punës, të cilat nuk kanë gjetur zbatim të duhur në Kosovë, janë nenet që kanë të bëjnë me orarin e punës. Punëtorët, sipas tij, bëjnë punë më shumë se sa që është e paraparë në Ligjin e punës.

“Punëtorëve iu shkelen shumë të drejta gjatë kohës sa ata janë në marrëdhënie pune. Nuk bëhen pagesat në kohën e duhur, punojnë me orar të stërzgjatur. Bëjnë punë, të cilat nuk janë të paraqitura në kontratë e shumë shkelje tjera”, tha ai.

Organi, i cili bën inspektimin e zbatimit të ligjit është Inspektorati i punës. Edhe sipas raporteve të këtij inspektorati, është cekur se ka mosrespektim të të drejtave të punëtorëve, konkretisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar ky inspektorat ka bërë mbi 3 000 inspektime dhe ka shqiptuar mbi 100 gjoba. Gjoba më e lartë që është shqiptuar, kishte vlerën 118 mijë euro, ndërsa ajo më e ulëta 500 euro.

Në anën tjetër, përfaqësues të punëdhënësve thonë se Ligji i punës ka gjetur mirëkuptim ndërmjet punëtorët dhe punëdhënësve. Megjithatë, sipas kryetarit të AKB-së, Agim Shahini, joformaliteti në punësim vazhdon të mbetet tejet i lartë.

“Mbetet ende sfidë joformaliteti në punësim, i cili është tejet i lartë dhe nuk i përmbahet asnjë kontrate, e lërë më dispozitave të Ligjit të punës.

Kjo është shkelje e rëndë ndaj punëtorit”, theksoi ai.

Sipas Shahinit, shumë nene të këtij ligji kanë qenë të vështira për t’u zbatuar nga punëdhënësit, por pavarësisht kësaj punëdhënësit janë munduar që të bëjnë respektimin e tij.

“Ne, si Aleancë e Biznesit, kemi bërë ftesë te të gjithë anëtarët tanë që çdo punëtor të ketë kontratën e punës, që ai të mbrohet ligjërisht”, tha kreu i AKB-së.

Ligji i punës është miratuar në muajin nëntor të vitit 2010, ndërsa zbatimi i tij ka filluar nga 1 janari i vitit 2011.kohaislame

Artikulli paraprakIPKO: Jemi nën presion
Artikulli vijuesZyrtarizohet koalicioni AAK-LDD