Dyshon se në kishën e Graçanicës ka antena të telefonisë serbe

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART) dyshon se në kishën e Graçanicës ka antena të telefonisë serbe dhe se për këtë do të bëjnë matje më të hollësishme. Përderisa thonë se në Karaçevë dhe afër fshatit Muqibabë, janë dy antena serbe të orientuara nga Kosova që mbulojnë hapësirën e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicë.

Sa i përket mesazheve që kohëve të fundit po pranojnë konsumatorët e operatorëve legal të vendit, nga operatorë të shteteve fqinjë, ART-ja pohon se nuk është operim ilegal, por është tejkalim i shkallës së frekuencave të cilat, sipas tyre, do të evitohen në brenda dy apo tre muajsh.
Shefi i departamentit për menaxhim të frekuencave në ART, Visar Halimi pohon për Kosovapress se pas matjeve të bëra, kanë parë dy antena në Karaçevë dhe Muqibabë, dhe se kanë dyshime për një tjetër në Kishën e Graçanicës.
“I kemi bërë matjet edhe gjatë matjeve mund të kemi një dyshim se eventualisht në Graçanicë në hapësirat e tempullit të Kishës të ketë ndonjë antenë me fuqi të ultë, që e rrok një hapësirë deri në 2 apo 3 kilometra, e që ne do të intensifikojmë matjet dhe do të jemi në kontakte për këtë. Mendoj se kjo ka mujt me u evituar, por kjo është diçka e re”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se duhet kërkuar ndihmë nga autoritetet e drejtësisë për të larguar antenën aty, por që do bëhen një herë matje më detale.
Ndërsa sa i përket mesazheve nga telefonitë e tjera që po vijnë deri edhe ne territor të Prishtinës, Halimi thotë se nuk ka të bëjë me veprim ilegal të operatorëve në vendin tonë.
“Ndërhyrjet eventuale që mund të vijnë në hapësirat e tjera të Kosovës, përveç pjesës veriore, mund të jenë nga operatorët e shteteve fqinje, ata nuk janë operatorë ilegal, por janë ndërhyrje, të cilët i përcaktojnë parametrat teknik më të lartë, se ata që i përcaktojnë disa rekomandime evropiane, e që këto janë të paraqitura në shumë shtete të tjera, po jo në masë sikurse te ne, sepse Kosova ka një hapësirë të territorit të vogël dhe ndërhyrja për 10, 20 apo 30 kilometra për ne është e madhe, në krahasim me shtete që kanë hapësirë më të madhe gjeografike, dhe mundet që konsumatori që është i kyçur në rrjetin legal të Kosovës të ndërhyjë ndonjë operator i shtetit fqinjë”, ka thënë ai.
ART-ja është në proces për të bërë marrëveshje me shtete fqinje, që ata të ulin fuqitë e tyre në mënyrë që të mos ketë sinjal thellë në territorin e vendit. Me Shqipërinë tashmë thuajse është arritur, me Maqedoninë do të arrihet në muajin e ardhshëm, ndërsa me Malin e Zi mund të arrihet diku rreth nëntorit.
Halimi pranon se konsumatorët mund të dëmtohen në disa raste, por këshillon për kujdes.
“Është e vërtetë se mund të dëmtohen, sepse ndërhyrja e valëve në hapësira të caktuara gjeografike, ku depërtimi i valëve në hapësira ku është direkt me antenat që kanë transmetuar i kanë në kufi, mund të arrijë fuqia më e lartë në atë moment mund të hyjë. Por, aparatet telefonik kanë mundësinë e zgjedhjes së operatorit manual, nëse nuk e lënë në mënyrë automatike mund t’i shmangen interferencave, ndoshta mund të jetë, nuk po e shmangi se nuk duhet të ekzistojnë këto, por megjithatë në bazë të rekomandimeve, konsumatori duhet me qenë më i kujdesshëm që nëse hynë në zona të afërta kufitare të shohin për ta vendosur në manual”, ka thënë ai./BS/kohaislame

Artikulli paraprakRrëzohet një helikopter i regjimit të Asadit
Artikulli vijuesDhëmbët e fëmijëve dhe problemet që shfaqen me thithjen e gishtit dhe biberonit