Murat Jashari: Nuk mbajmë inate me askënd

Sa herë vjen marsi Prekazi dhe Drenica mbushet me vizitorë. Kështu ishte edhe sot në 19 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, e cila shënohet për nder të betejës së Prekazit ku humbën jetën 50 persona e 20 prej tyre vetëm nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari.

Para 19 vitesh në këtë familje shpëtuan vetëm 10 veta nga 30 sa ishin por sot numri i tyre është rritur. Të gjithë janë martuar dhe kanë krijuar familje.

Për nder të Epopesë së UÇK-së, edhe sot dyert e familjes së komandantit legjendar u hapën për mysafirët e shumtë.

Mirëpo ata që nuk ia mësynë dyert e kësaj kulle ishin krerët e shtetit.

As kryeministri Isa Mustafa e as kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk shkuan për vizitë tek Jasharët. Njëjtë ka vepruar edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi. Madje Thaçi dje shkoi në Prekaz pa bërë bujë dhe pa i ftuar mediat siç bën zakonisht.

Atij i ka mjaftuar që të postojë një status dhe një fotografi në rrjetin social Facebook për të treguar kështu se ka bërë homazhe në Prekaz.

Veseli dhe Thaçi shpesh janë mburrur se kanë qenë shokë të ngushtë të komandantit legjendar të UCK-së duke publikuar edhe fotografi bashkë me të.

Edhe pse krerët e shtetit nuk qëndruan në odën e Jasharëve, tek familja Jashari shkuan krerët e Vetëvendosjes, disa deputetë të PDK-së, komandanti dhe ministri i FSK-së, Rrahman Rama dhe Haki Demolli, zyrtarë të komunës së Skënderajt dhe të komuna tjera, etj.

Nikoqiri i familjes Jashari, Murat Jashari tha se brezi i kaluar ka dhën gjithçka nga vetja që të vijë deri tek liria, ndërsa ai tha se tash i takon brezit të ri të japë për ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit.

Por sipas Jasharit, liria dhe shteti ka qenë dëshira e të rënëve të familjes por siq tha ai jo kjo liri dhe ky shtet që është sot.

“Kosovën apo vendin të cilën ata e kanë dashur ka qenë liria dhe shteti dhe ajo ekziston. A kishte me qenë dëshira që kjo Kosovë, kjo liri dhe ky shtet të jetë ndryshe jam më se i bindur që po dhe ata do ta kishin dëshirën dhe vullnetin si gjithë qytetarët e tjerë”, tha Jashari.

I pyetur për mos vizitën e krerëve të shtetit familjes së tij në këtë ditë të veçantë, Jashari pa përmendur askënd me emër tha se si familje nuk mbajnë inati me askënd dhe se i respektojnë institucionet kushtetuese.

“Ne nganjëherë jemi si përfaqësues të familjes Jashari dhe nganjëherë jemi qytetarë të rëndomtë. Në cilësinë e përfaqësuesit të familjes Jashari nuk guxojmë që të kemi kryeneçësi ose që të mbajmë inati dhe të tjetra ne jemi ithtarë të institucioneve kushtetuese. Pra, institucionet kushtetuese, kategoritë kushtetuese për ne janë të shenjta sepse ajo Kushtetutë është ndërtuar mbi bazën e sakrificës. Jo vetëm të sakrificës së familjes Jashari por në vazhdimësi të sakrificave dhe ne respektojmë pafundësisht institucionet kushtetuese, kurse individët ose personat të cilët udhëheqin me institucionet kushtetuese, nëse ata punojnë siç duhet do ta kenë vlerësimin tonë ose respektin tonë”, tha Jashari.

Ndërkohë që Murat Jashari ka pritur në kullë mysafirët e tij, tek varrezat e të rënëve kanë Jasharët janë nderuar nga krerët e shtetit, përfaqësues të partive politike, etj.

Kryeministri Isa Mustafa tha se vepra e familjes Jashari kapërcen kornizat e historive të tilla të flijimit për liri të vendit.

“Ne gjithë vlerësojmë se vepra heroike e komandantit legjendar Ademi Jasharit, Shaban e Hamëz Jasharit, Familjes Jashari, janë vepra që kapërcejnë kornizat e historive të tilla të flijimit të tillë për lirinë e vendit dhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë. Është vepër që meriton respekt të veçantë të të gjithëve ne, dhe para se cilës të gjithë përkulemi”, tha Mustafa.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli nga Prekazi dërgoi mesazhe se familja Jashari dhe gjithë heronjtë tjerë janë garanci dhe frymëzim për të ecur përpara.

“Pothuajse dy dekada po kalojnë dhe plagët janë ende të freskëta, për aq sa edhe dhimbja jonë, por në të njëjtën kohë krenaria dhe forca se Kosova jonë për të cilën u flijuan këta heronj po ecë shumë përpara, po bëhet çdo ditë më e fortë edhe do të jetë e përjetshme si shtet i pavarur dhe sovran. Komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, dhe gjithë heronjtë e kombit janë garanti me i madh i shteti tonë sovran, i idealeve tona dhe frymëzimit se kah duhet të ecim si shtet, kemi shumë punë, por jemi në rrugën e duhur”, tha Veseli.

Në Prekaz ka qëndruar edhe kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri me bashkëpunëtorë, i cili tha se kjo ditë është e veçantë pasi që sipas tij në këtë familje ka ndodhur një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe një sakrificë e cila është e pa përsëritshme në historinë e kombit shqiptar.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një prej ngjarjeve më të rëndësishme që e ka pasur kombi shqiptar, e cila përmes organizmit popullor e ka dëshmuar se sa i madh është vullneti për liri dhe se sa e rëndësishme është angazhimi për të mirën e përgjithshme. Ndërkohë, që brenda kësaj ushtrie çlirimtare, natyrisht se familja Jashari një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe është një sakrificë e cila është e pa përsëritshme në historinë tonë. Në këtë drejtim mendojë që rezistenca, beteja dhe sakrifica e familjes Jashari është një gjë të cilën ne kurrë nuk duhet ta harrojmë”, tha Ymeri.

Për të nderuar Jasharët në Prekaz ka bërë homazhe edhe ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila tha se është obligim i qytetarëve të Kosovës që të bëjnë nderime tek kjo familje.

“Është obligim i joni si qytetarë të Republikës së Kosovës që në këtë përvjetor të rënies heroike të 53 pjesëtarëve të familjes Jashari të bëjmë respektin dhe nderin tonë dhe kjo është gjithmonë, prezenca jonë në këtë vend është një kujtesë e madhe për çmimin që neve kemi paguar për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

I pari që erdhi në Prekaz për të bërë nderime ishte kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se familja Jashari bënë rezistencë heroike ku sipas tij mbi atë rezistencë u ngrit i gjithë populli.

“5, 6 dhe 7 marsi i komandantit Adem Jashari, i bacit Shaban dhe i Hamzës është lavdia përmbyllja më e mirë e të gjithëve luftëtareve të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Ata me të gjithë anëtarët e familjes bënë rezistencë heroike dhe mbi atë rezistencë u ngrit i gjithë populli që sot bashkë me aleatët tanë të festojmë këtë ditë, të festojmë ditën e lirisë, ditën e pavarësisë”, tha Lladrovci.

Homazhe tek Jasharët kanë bërë edhe ministra të Qeverisë, zyrtarë të komunave si dhe një delegacion nga AAK-ja.

Epopenë e UÇK-së nga Franca e ka përkujtuar edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj.

Për nder të kësaj Epopeje sonte në mbrëmje do të mbahet një Akademi përkujtimore ndërsa nesër përmbyllet me Natën e Zjarreve./Telegrafi/

Artikulli paraprakKush ndërton fabrika në Kosovë?
Artikulli vijuesOsmani : Dështimi i demarkacionit nuk e dërgon vendin në zgjedhje