E lexon të njëjtin fjalim

Presidenti zimbaveas, Robert Mugabe, 91-vjeçar, ka lexuar gabimisht të martën para Parlamentit të njëjtin fjalim të lexuar muajin e kaluar. Kjo ka ndodhur edhe para deputetëve të opozitës, të cilët kanë heshtur pasi që, siç kanë thënë, kanë marrë kërcënime me vdekje përmes SMS-ve në rast se e pengojnë presidentin gjatë fjalimit të tij.
“Ka ndodhur një ngatërrim i fjalimeve dhe presidenti e ka lexuar të gabuarin” ka deklaruar George Charamba, zëdhënës i presidentit.

Robert Mugabe, në pushtet që nga pavarësimi i vendit më 1980, ka rilexuar për 25 minuta tërë tekstin që tashmë e ka lexuar para deputetëve gjatë fjalimit për gjendjen e kombit, në gusht, pa e kuptuar se po e lexonte fjalimin e gabuar.

Gazetarët që e mbulonin ngjarjen shumë shpejt e kanë kuptuar se ishte i njëjti fjalim. Kurse, deputetët e opozitës, të cilët kishin bërë zhurmë gjatë fjalimit të mëparshëm, të 25 gushtit, kësaj here s’kanë bërë zë. Ata thanë se kanë marrë SMS kërcënues nga numra anonimë. “Vdekje… Mos harroni se imuniteti juaj mbaron në dyert e Parlamentit”, shkruante ndër të tjera në këto mesazhe.

Artikulli paraprakRama: I mirëpresim refugjatët sirianë
Artikulli vijues“Eja në Europë dhe jeto si mbret!”