Arsyet e shkatërrimit të saj, më së shumti, duhen kërkuar në përvojën dhe në masat e marra pas vitit 1991, në të ashtuquajturën “politikë të mbrojtjes”, që u ndoq nga klasa jonë politike, pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, në “reformën” që u programua dhe zbatua në fushën e mbrojtjes.
Ishte e logjikshme që, në kuadrin e ndryshimeve rrënjësore në fushën politike, sociale dhe ekonomike që po kryheshin në vendin tonë, edhe në fushën e mbrojtjes, qoftë në sferën e mendimit ushtarak e të politikës ushtarake të shtetit shqiptar, ashtu edhe në drejtim të strukturës organizative dhe të aktivitetit praktik të ushtrisë të bëheshin ndryshime të mëdha. Pra ishte plotësisht e drejtë dhe e nevojshme të kryhej, ajo që në ato vite u quajt “Reforma në Ushtri”. Një objektiv të tillë e kishin parashtruar të gjitha forcat politike opozitare me PPSH, në programet e tyre elektorale. Konkretisht ato deklaronin se do të punonin për ta ngritur ushtrinë tonë, si nga pikëpamja organizative ashtu edhe për sa i përket përgatitjes dhe pajisjes së saj teknike, në nivelet e ushtrive të vendeve të tjera të zhvilluara. Të gjithë shqiptarët, veçanërisht ne që kishim punuar gjithë jetën në ushtri dhe qe i`a njihnim realisht, asaj, edhe arritjet por edhe të metat, në raport me standardet ndërkombëtare, e uronim një gjë të tillë.
Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Ushtria jonë jo vetëm nuk u forcua dhe nuk u modernizua siç deklarohej, përkundrazi, gjatë viteve të “postdiktaturës”, erdhi vazhdimisht duke u dobësuar, në të gjithë komponentët e saj, deri sa ndodhi ajo që neve kurrë nuk na kishte shkuar në mendje, shkatërrimi i plotë i saj.
Ky proces shkatërrimi nuk është rezultat vetëm i ngjarjeve të pranverës së vitit 1997. Këto ngjarje qenë akti i fundit i tragjedisë. Shkatërrimi ushtrisë sonë lidhet me një sërë veprimesh të ndërmarra,edhe me qëllim, përgjatë viteve 90-të. Shkatërrimi i ushtrisë, në mënyrë të pa deklaruar,ka qenë synimi i forcave politike që erdhën në pushtet pas vitit 1992. Këtë të vërtetë të hidhur e venë në dukje edhe përfaqësues të ushtrive të huaja, të atashuar pranë qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare. Ndër ta, këshilltari i lartë ushtarak amerikan pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në vitet 1995-1997, Charles Lane thotë se ’’Ushtria Shqiptare është e prirur dhe e hapur ndaj ndryshimeve. Por problem kryesor ishte se qeveria kishte vendosur për ta shkatërruar gjithçka të mëparëshme, pavarësisht në se ishte e vlefëshme apo jo’’.(Eqrem Osmani,’’Zbuluesi,syri i pagjumë i mëmëdheut’’, fq.186).
Sulmi politik mbi ushtrinë
Ky ka qenë momenti i parë nga i cili ka marrë rrugë shkatërrimi i ushtrisë sonë. Në fillim të viteve 90-të, forcat e reja politike që erdhën në pushtet, duke vlerësuar gabim situatat politiko-ushtarake në rajon e në nivel global, ndryshuan plotësisht konceptin strategjik dhe politikën e mbrojtjes së shtetit shqiptar. Në vija të përgjithshme u promovua koncepti se tashmë rreziku i luftës në rajon e veçanërisht kundër vendit tonë nuk ekzistonte më. Dhe. në se do të paraqitej ndonjë rrezik ne do t`a përballonim atë në kuadër të veprimit të strukturave ushtarake ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të NATO-s. Ndryshimi i konceptit për mbrojtjen u pasua me veprime që në fakt shumë shpejt çuan në dobësimin e kapaciteteve morale dhe ushtarake, deri në shkatërrimin e plotë të ushtrisë.
Që në fillim,në kuadrin e luftës kundër përvojës së viteve të socializmit, ushtria u konsiderua si një instrument dhune në dorë të PPSH dhe të udhëheqjes saj. Duke e konsideruar të tillë ushtrinë, ajo filloi të shihej dhe të goditej si një e keqe e madhe, dhe më shumë si një barrë e panevojshme për popullin shqiptar. Nisur nga disa detyra që mori përsipër,sidomos aksionet në ruajtje të rendit,të qetësisë publike dhe objekteve të rëndësishme politike,sociale,ekonomike dhe ushtarake, ushtria u akuzua si forcë e errët në dorë të udhëheqjes së PPSH. U stisën edhe veprime, si demonstrimet e shkollave ushtarake në mbrojtje të veprës e të monumenteve të Enver Hoxhës,vetëm e vetëm për ta paraqitur ushtrinë si një mjet presioni kundër zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Në të njëjtën kohë u godit baza morale, fondamenti mbi të cilin ishte ndërtuar koncepti ynë mbi mbrojtjen, sipas të cilit “mbrojtja e vendit ishte përgjegjësi dhe detyrim moral për çdo qytetar”.Në çdo miting të partive opozitare,në radio, në televizion, në shtypin e shkruar dhe në forma nga më të ndryshmet, propagandohej se… çfarë që është bërë në fushën e mbrojtjes nga PPSH ka qenë e panevojshme, ka qenë një shfaqje e megalomanisë së saj dhe, se në konkluzion të fundit, ka qenë një barrë e rëndë, e kotë, për ekonominë, për popullin dhe shtetin shqiptar. Në kronikat televizive qytetarët filluan të “flisnin” me neveri për ushtrinë, për stërvitjen ushtarake, për zboret, për provat e gatishmërisë, për fortifikimin ,etj. Ata me “kompetence” deklaronin edhe pavërtetësinë e një rreziku ushtarak ndaj vendit tonë. Çdo ditë televizioni paraqiste njerëz, me varre dhe me vegla të tjera, që shkatërronin objekte të fortifikimit, vetëm e vetëm për të marrë një sasi të papërfillshme hekuri ose për të liruar një sipërfaqe të vogël toke, për interesa private. Për të diskretituar sistemin tonë të fortifikimit u formulua cilësori, i “bunkerizuar” dhe u arrit deri atje sa të dekonspiroheshin objekte të karakterit tepër sekret.
E gjithë kjo propagandë synonte të krijonte tek njerëzit e thjeshtë, tek qytetarët bindjen se “çështja e mbrojtjes ka qenë vetëm një alibi e PPSH dhe e Enver Hoxhës, për të garantuar jetëgjatësinë e pushtetit të tyre dhe se vendit tonë nuk i kanosej asnjë rrezik ushtarak”.
Po në këtë linjë, me këtë skenar dhe me këto synime u godit edhe përmbajtja e karakteri i luftës sonë çlirimtare dhe i UNÇL, e cila ishte pararendësja e ushtrisë sonë dhe e misionit të saj, në mbrojtje të atdheut. Lufta nacionalçlirimtare u quajt “luftë civile”, “luftë vëllavrasëse”, madje, në shumë raste, edhe një “luftë e panevojshme” me qenë se, sipas kësaj propagande, “forcat gjermane ishin vetëm në një operacion kalimi dhe jo pushtimi ndaj Shqipërisë”,duke ngarkuar me përgjegjësi për këtë PKSH,Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si krahun e saj të armatosur. Duke goditur ushtrinë çlirimtare, veprën e saj të lavdishme, çlirimin e vendit, historikun e saj dhe të njësive partizane, goditej në të njëjtën kohë edhe ushtria jonë popullore, që ishte, në realitet, vazhduesja dhe bartësja e vlerave më të mira të ushtrisë çlirimtare, të ushtrisë partizane. Pra po goditej krenaria e vazhdimësisë dhe e ekzistencës së saj. U ndalua kremtimi i përvjetorëve të krijimit të njësive të ushtrisë Nacional Çlirimtare, që lidheshin edhe me krijimin dhe aktivitetin e njësive ushtarake, të armëve e shërbimeve të ushtrisë popullore. Vetëm për të hequr yllin e kuq dhe simbole të tjera “komuniste” nga uniforma e ushtrisë u zbatuan masa që cenuan rëndë paraqitjen e jashtme të ushtarakëve dhe dinjitetin e tyre e të ushtrisë, duke i bërë ata objekt të humorit, pa ose të qëllimshëm, të opinionit publik. “Ushtria humbi shumë nga dinjiteti i saj se ia morën armët dhe simbolet, dy nga elementët kryesorë që përbëjnë nderin e saj”,-Halil Katana.(Ringritja e Ushtrisë Shqiptare’’, fq.19)
Veç sa theksova më lart, në lidhje me aspektin politik të problemit, me fillimin e proceseve demokratike u cenua edhe baza ligjore mbi të cilën ishte mbështetur detyrimi i qytetarëve në interes të mbrojtjes së vendit. Kështu u tolerua dhe nuk u muar asnjë masë për një pjesë të madhe të ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm, të cilët u larguan nga ushtria, dezertuan nga radhët e saj, dhe shkuan në vendbanimet e tyre apo edhe jashtë vendit. Këto kontigjente jo vetëm nuk u vunë para përgjegjësisë për dezertim nga ushtria por edhe kur ktheheshin në reparte iu njihej si shërbim ushtarak edhe periudha e largimit.
Si për t`i dhënë goditjen e fundit seriozitetit dhe domosdoshmërisë së shërbimit ushtarak Ministria e Mbrojtjes adoptoi ligjin e pagesës së shërbimit ushtarak, çka do të thoshte se cilido që paguante një sasi lekësh mund të mos shkonte në ushtri. Një praktikë e tillë jo vetëm që e komprometonte më tepër çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak por hapi edhe një aferë të re, atë të pagesës nën dorë të kuadrove të sektorit të organizimit dhe të kuadrove të tjerë përgjegjës, në njësi e reparte ushtarake. U bënë të zakonshme rastet kur ushtari regjistrohej në repart, por atje paraqitej vetëm në fund të afatit të shërbimit,për të marrë librezën e shërbimit ushtarak, madje edhe me karakteristikën për kryerjen me “rezultate shumë të mira” të detyrës ushtarake. E gjithë kjo përvojë e gabuar rezultoi në zvenitjen, deri në neglizhimin e plotë, të ndjenjës së përgjegjësisë qytetare për mbrojtjen e vendit, rrjedhimisht edhe ndaj detyrimeve për shërbimin ushtarak dhe për përgatitjen ushtarake, të përcaktuar edhe në ligjin themelor, në Kushtetutën e Shqipërisë.
Në këtë rrugë, hap pas hapi, ushtria u gjend para vështirësive të mëdha, në shumë drejtime, sidomos në fushën e kompletimit dhe të përgatitjes së saj luftarake. Në se, edhe në situatë të zakonshme, jo më në situate të acaruara politike dhe ushtarake, repartet dhe njësitë e ushtrisë sonë kompletoheshin në masën 70,80 %, pas vitit 1991 asnjëherë ky kompletim nuk arriti as në masën 20%, përqindje që nuk garantonte futjen e tyre në veprime luftarake, në se situata do t`a kërkonte një gjë të tillë.
Keqpërdorimi i reformës në ushtri
Reforma e ndërmarrë në ushtri, pas vitit 1991,veçanërisht keqpërdorimi i saj për qëllime politike e përfitimi është momenti i dytë që ka ndikuar, me së shumti, në procesin e shkatërrimit të ushtrisë,në të gjitha drejtimet. Përkundër deklarimeve se reforma do të forconte dhe do të modernizonte ushtrinë tonë rezultoi që ajo nxiti më tej procesin e dëmtimit dhe të shkatërrimit të saj.
Ishte e domosdoshme që reforma, që u aplikua në ushtri, të bazohej në kritere shkencore, pra të realizohej mbi bazën e një programi, që do të garantonte në të njëjtën kohë ndryshimet e domosdoshme në fushën e organizimit, të përgatitjes dhe të pajisjes së ushtrisë, por edhe mbajtjen në gjendje gatishmërie luftarake të të gjithë elementeve të mbrojtjes dhe, mbi të gjitha, të forcave të armatosura.
Si rregull një procedurë e tillë duhej të kalonte në tre faza kryesore: në ripërcaktimin e parimeve kryesore të politikës së shtetit shqiptar në fushën e mbrojtjes dhe të objektivave kryesore të kësaj politike; në përcaktimin e kapaciteteve të domosdoshme njerëzore, materiale e teknike për përmbushjen e këtyre objektivave; në kryerjen e riorganizimit të strukturës së forcave të armatosura, në bazë të kapaciteteve njerëzore e materiale të domosdoshme në situatën e re politike dhe ushtarake. Pastaj,në bazë të këtyre ndryshimeve përcaktoheshin dhe perfeksionoheshin edhe masat e përgatitjes, të komandimit dhe të drejtimit të ushtrisë,gjë që do të kërkonte domosdo edhe ripunimin e Artit Ushtarak,apo të doktrinës së Mbrojtjes,siç u bë zakon të artikulohej pas vitit 1991. Një skemë e tillë mund të realizohej, në të njëjtën kohë, duke ruajtur nivelin e aftësive ushtarake të ushtrisë dhe gjendjen e gatishmërisë luftarake të njesive dhe të reparteve të saj. Vetem kështu reforma ushtarake do t`a ruante të pacenuar dhe do t`a ngrinte më lart efektivitetin e sistemit tonë të përgatitjes dhe të gatishmërise luftarake. Kështu vepron çdo shtet e çdo shtatmadhori e përgjegjëshme për fatet e vendit të tyre.
Përkundër kësaj metode, reforma në ushtrinë tonë u realizua jashtë këtyre kërkesave, larg së qeni shkencore. Ajo u përvijua dhe u realizua plotësisht mbi baza politike, partiake, në interes të marrjes dhe të konsolidimit të pushtetit politik dhe ekonomik të një grupi,a të një partie politike.
Reforma që u krye në ushtri u keqpërdor në dy plane
Në planin politik ajo u përdor për të kompromentuar,për të diskredituar, politikën ushtarake të PPSH,konceptet mbi të cilët organizohej mbrojtja e vendit tonë si dhe për të larguar nga rradhët e ushtrisë kuadrot,që në atë kohë u etiketuan si të nomenklaturës së lartë, të “nomenklaturës së kuqe” të cilët, për forcat që erdhën në pushtet, ishin të padëshirueshëm si dhe për të denigruar vlerat, përvojën dhe historinë e ushtrisë sonë.
Në të gjitha masat që reklamoheshin në kuadër të reformës ushtarake ishte e dukëshme përpjekja për të diskredituar politikën që kishte ndjekur shteti shqiptar në fushën e mbrojtjes, parimet, normat dhe konceptet mbi të cilët mbështetej Arti ynë Ushtarak për të organizuar dhe përgatitur ushtrinë dhe popullin për këtë qëllim. Në këtë kohë dhe në kuadrin e kësaj reforma u formuluan përfundime që e përmbysnin plotësisht mendimin dhe vlerësimin që kishte populli për problemin e ushtrisë dhe të mbrojtjes. U formulua dhe u propagandua përfundimi se Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë e rrezikuar nga agresorë të jashtëm. Kështu që, e gjithë puna e bërë në këtë drejtim ka qenë një shfaqje e megalomanisë së udhëheqjes së lartë të shtetit dhe të PPSH për të ruajtur sa më gjatë pushtetin e tyre. U formulua, dhe u propagandua, gjithashtu, përfundimi se, edhe në se do të kishte ndonjë agresion ushtarak ndaj vendit tonë, ne nuk do të ishim në gjendje të mbroheshim me forcat tona. Kjo gjë, sipas përpiluesve të politikës së re të mbrojtjes, mund të bëhej vetëm në kuadër të aleancave ushtarake ndërkombëtare, të aleateve të fuqishëm rajonal apo global. Në analiza e diskurse të çështjeve ushtarake flitej vetëm për integrimin e forcave tona të armatosura në struktura ushtarake ndërkombëtare, në NATO dhe në organizma të tjera rajonale, deklarohej pjesëmarrja e “suksesshme” e reparteve të ushtrisë sonë në operacione paqeruajtëse në vende të ndryshme, duke evidentuar konceptin që, tash e tutje, mbrojtja e vendit do të realizohej në kuadër të bashkëpunimit e të bashkëveprimit me faktorë të jashtëm ushtarakë. Vetvetiu kjo politikë të çonte në konkluzionin që të gjitha shpenzimet e bëra për këtë qëllim, deri në fillim të viteve 90-të, kanë qenë të panevojshme dhe në dëm të gjendjes ekonomike të popullit tonë. Në këtë mënyrë, kërkesa “mbrojtja e atdheut është detyrë mbi të gjithë detyrat” konsiderohej vetëm si parullë propagandistike e PPSH.
Fillimisht reforma kishte si qëllim imediat të largonte nga radhët e ushtrisë të gjithë ato kuadro, që partitë politike, veçanërisht partitë e reja opozitare, që erdhën në pushtet me zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, i konsideronin si pengesë në vënien e ushtrisë nën kontrollin e tyre dhe në shërbim të objektivave për marrjen dhe konsolidimin e pushtetit politik. Në këtë kuadër nuk u kursye asnjë ushtarak i cili, në forma të ndryshme, shfaqte mosaprovim për proceset që po zhvilloheshin në Shqipëri, jo si procese objektive, por për pasojat negative që ato po sillnin. Kryesisht u synua të largohej nga ushtria ai kontigjent kuadrosh, që përbënte bërthamën më të aftë, potencialin e vërtetë drejtues të ushtrisë. Kështu me një vendim qeverie, u larguan nga ushtria dhe nga struktura të tjera të mbrojtjes,nga policia, nga organet e sigurimit të shtetit, të gjithë kuadrot mbi 48 vjeç, në grupin e të cilëve bënin pjesë gati të gjithë drejtuesit e aparatit të MM,të komandave dhe të shtabeve të njësive kryesore, të divizioneve dhe brigadave, të të gjithë llojeve të armëve dhe shërbimeve, dhe të sektorëve të tjerë të ushtrisë. Një masë e tillë e la ushtrinë shqiptare pa përvojën dhe aftësitë drejtuese të kuadrove dhe të specialistëve më të zotë të saj, të cilët përbënin potencialin më të madh, që mund të garantonte realizimin me sukses të ristrukturimit dhe forcimit të mëtejshëm të saj edhe në kushtet e transformimeve të mëdha politike.
Kuadrot e ngritura në vend të tyre nuk kishin as aftësitë profesionale, as përvojën e mjaftueshme, e mbi të gjitha, për arsye të deklarimit partiak të tyre, nuk siguronin as besimin dhe mbështetjen e plotë të masës së gjerë të efektivave të reparteve dhe të njësive, që morën në komandë, për të realizuar me sukses transformimet që duheshin bërë në ushtri. Nuk më duket etike të përmend emra konkrete, por disa nga të emëruarit në krye të njësive ushtarake dhe të sektorëve të veçantë në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë rezultonin të ishin nga ata kuadro që para viteve 90-të kishin demonstruar paaftësi dhe mungesë përgjegjësie të madhe në plotësimin e detyrave funksionale.
Në aspektin ushtarak, reforma në ushtri qe një katrahurë, qe një periudhë agonie për ushtrinë shqiptare. Ajo, në fakt, degradoi në një proces që, më shumë se në interes të forcimit të aftësive mbrojtëse të vendit, përdorej në interes të forcimit të kapitalit politik të forcave që e kishin pushtetin apo që e synonin atë.
Kësaj praktike kaotike iu nënshtrua, në radhë të parë, procesi i riorganizimit të strukturave të ushtrisë, që ishte masa më e rëndësishme në kuadrin e reformës ushtarake.
Duke qenë konkretisht në pozitat e mohimit të vlerave të strukturave të mëparshme dhe të mos krijimit të strukturave të reja, në fakt u krijua një boshllëk strukturor, çka do të thotë që, edhe në “letër”, Shqipëria nuk kishte dhe nuk mund të mobilizonte ushtrinë e saj. Gjendja reale e strukturave të ushtrisë dhe emigrimi masiv, brenda dhe jashtë vendit, i kontigjenteve të afta për të luftuar, nuk garantonte një kundërveprim të suksesshëm ndaj ndonjë agresori të mundshëm. Çështja ishte se këtë gjendje e njihnin mjaft mirë edhe kundërshtarët tanë, të cilët gjenin rastin të deklaronin se “Shqipëria, për ta, ishte një objektiv shumë i lehtë…që mund t`a merrnin edhe me shoqatën e gjuetarëve”.
Një rrugë e tillë u ndoq edhe përsa i përket administrimit të armatimit, teknikës luftarake dhe të materialeve të tjera të ushtrisë. Me synimin për të zëvendësuar armatimin e ashtuquajtur lindor me armatim dhe me teknikë perëndimore, me të cilin ishin paisur vendet anëtare të NATO-s dhe në kuadrin e shkurtimit të organikave të njësive dhe të reparteve u bënë lëvizje të pajustifikuara të teknikës luftarake. Sipas disa shënimeve në të përditshmet tona inventari material që ka patur në dispozicion ushtria jone ka qenë kolosal, që llogaritet në dhjetëra miliardë dollarë. Unë kam sjellë të dhëna të hollësishme për këtë inventar të madh,sidomos në sektorin e armatim-municioneve dhe të teknikës luftarake. Duke qenë se inventari material i ushtrisë sonë ishte i administruar dhe i ruajtur rreptësisht, konkludohet lehtë se kontrabanda me të nuk mund të bëhej nga kuadrot e rangjeve të ulta, por nga struktura të veçanta të nivelit të lartë të hierarkisë së shtetit dhe të ushtrisë. Kështu,për fat të keq, pjesë e kësaj kontrabande u bënë edhe mjaft kuadro të lartë të ushtrisë shqiptare. Duke patur kontrollin mbi një sërë institucionesh ekonomike, financiare dhe të sigurisë ky nivel kuadrosh u bë promotor i kësaj veprimtarie kriminale. Madje guximi i tyre arriti deri në atë shkallë sa tregtia e armëve të bëhej e hapur, në sytë e opinionit të vendit dhe të atij ndërkombëtar, siç ka qenë rasti i disa avionëve që transportonin armatim dhe teknikë luftarake nga Shqipëria në vende të tjera,madje edhe në vende dhe rajone ku kishte konflikte ushtarake dhe që ndalohej nga OKB-ja.
Kjo tregti, duke u bërë jashtë rregullave,jo në interes të shtetit dhe të ekonomisë së vendit, por për përfitime personale, nxiti një praktikë krejtësisht liberale në administrimin dhe ruajtjen e armatimit dhe të teknikës tjetër luftarake, situatë kjo që e ktheu në epidemi vjedhjen dhe përdorimin për përfitim personal të pasurisë së ushtrisë, që ishte në të njëjtën kohë mundi dhe djersa e popullit tonë. Një fakt i tillë ishte tregues domethënës për të vërtetuar atë që ushtria ishte futur në një proces të pandalshëm degradimi edhe në planin material. Dhe kjo nuk bëhej në interes të arkës së ushtrisë, të shtetit shqiptar por në interes të klaneve e grupeve të veçantë. Pra,në kuadrin e reformës ushtarake u krye një krim i madh në dëm të interesave ekonomike të vendit. Inventari material e teknik i ushtrisë,që përbënte një pasuri të pallogaritshme të vendit tonë, u shfrytëzua për interesa të qarqeve ekonomike e mafioze brenda e jashtë vendit. Ky krim ishte shumë i madh për të mos u dekonspiruar. Prandaj ngjarjet e pranverës të vitit 1997 qenë “fatlume”, per këto qarqe mafioze, qenë një mundësi e mirë për të justifikuar këtë aferë të madhe biznesi. Mbase bash për këtë arsye ministri i mbrojtjes, i asaj periudhe, Safet Zhulali, bëri deklaratën që kam cituar më sipër se: “…dosja e ngjarjeve të mars, prillit 1997 nuk do të hapet ndonjëherë”. Pas vitit 1997 deri në vitin 2008, kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, afera e armatimit, municioneve e teknikës luftarake do të merrte përmasa më të rrezikshme.
Megjithëse deri në vitin 1997 nuk pati ndryshime të mëdha në strukturat drejtuese të Ministrisë dhe të njësive të ushtrisë edhe në këtë drejtim reforma ushtarake solli mjaft çoroditje. Ideja për të ndarë funksionet politike me ato ushtarake, për të ndarë aparatin politik të Ministrisë së Mbrojtjes nga aparati i Shtabit të Përgjithshëm, ideja për të forcuar kontrollin politik në ushtri solli dobësim të vazhdueshëm të rolit të këtij të fundit, i vetmi organ përgjegjës dhe i aftë të mbante në dorë procesin e reformimit të ushtrisë, pa e dëmtuar atë. Me synimin,i drejtë në një shtet demokratik, për vendosjen e kontrollit civil mbi ushtrinë dhe organet e saj drejtuese u cenua dhe gati u përjashtua puna dhe përgjegjësia e Shtabit të Përgjithshëm, puna dhe përgjegjësia e komandave dhe shtabeve të njësive ushtarake. Koncepti i forcimit të kontrollit civil mbi ushtrinë solli në fakt nënshtrimin e institucioneve ushtarake, të Komandës e të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nga lloj-lloj ministrash e politikanësh amatorë e të papërgjegjshëm. Këto dhe të tjera veprime sollën pasoja shumë të rënda në drejtimin luftarak të ushtrisë. Kjo solli edhe atë që nuk duhet të ndodhte, nënshtrimin e organeve ushtarake ndaj politikës, aq më keq ndaj klaneve politike, ekonomike e mafioze.