E vrau burri në Angli, sillet në Shqipëri trupi i Elidona Demirajt

Trupi i 25-vjeçares Elidona Demiraj që u vra në Angli nga bashkëshorti i saj, ka mbërritur në Shqipëri. Lajmin për mbërritjen e trupit të pajetë të Elidonës e ka njoftuar babai i saj, Halil Demiraj, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Facebook.

Në postimin e bërë, ai shkruan:

“Të dashur shokë, miq e të afërm të familjes tonë.

Ju, të nderuar që po jetoni me dhimbjen tonë tash 5 javë ditë, ju njoftojmë mbërritjen e trupit të vajzës tonë, Elidona Demiraj në Shqipëri, sot dt.4 Mars ora 14 : 30.

Varrimi do të bëhet nesër, dt. 05 Mars, të shtunën në orën 13:00 në Fshatin Begaj,Tropojë. Me respekt Halil Demiraj”

Historia tragjike e vrasjes së Elidona Demirajt

Arben Rexha , ose siç njihet ndryshe Lulzim Qeleposhi, 31 vjeç vrau bashëkshorten e tij Elidona Demiraj, mbrëmjen e 31 Janarit në Islington, në periferi të Londrës.

Babai i vajzës duke hedhur dritë mbi ngjarjen, ka dhënë disa detaje lidhur me ditët e fundit të jetës së vajzës së tij.

Halil Demiraj përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se dhëndri tre ditë para ngjarjes e kishte paralajmëruar se do ndahej nga Elidona, sepse e kishte ofenduar 2-3 herë dhe asgjë tjetër.

Ai i kishte thënë gjithashtu se vazja e tij mund të rrinte në shtëpi deri të nesërmen, në orën 8 dhe pastaj mund të shkonte ku të donte.

Demiraj thotë se një mik i shtëpisë e strehoi më pas vajzën. Por bashkëshorti i saj, ishte rikthyer i penduar për t’u pajtuar me vajzën dhe ia kishte arritur qëllimit.

Vajza ishte kthyer në shtëpi me 29 janar pas lutjeve të Lulzim Qeleposhit. Më 30 janar, një ditë përpara vrasjes, Qeleposhi ishte sëmurë dhe Elidona i kishte shërbyer dhe e kishte shoqëruar në spital. Më 31 Janar ata kanë përgatitur plaçkat për të ndërruar shtëpinë, por atë natë Qeleposhi e kishte masakruar bashkëshorten 25-vjeçare me thikë. Policia e arrestoi në flagrancë, e njoftuar nga disa fqinj që kishin dëgjuar thirrjet e vajzës për ndihmë”.

Artikulli paraprakErdogan propozon ndërtimin e një qyteti në Siri
Artikulli vijuesVideo: Specialët Çeçenë infiltrojnë brenda DAESH, ndihmojnë aviacionin rus