Yıldırım: Me rritjen në sektorin e energjisë jemi në vendin e dytë në botë

Duke theksuar se ky kongres mund të jetë një shans për takime dhe deklarata të vlefshme si dhe finalizime të marrëveshjeve të rëndësishme, Yıldırım tha se ky kongres mund të jetë me plot kuptimin e fjalës “olimpiada e energjisë”

STAMBOLL (AA) – Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, ka mbajtur sot një fjalim gjatë ceremonisë së hapjes së Kongresit të 23-të Botëror të Energjisë, i organizuar në Stamboll. Kryeministri Yıldırım duke nënvizuar se synimi kryesor është dërgimi në çmime të arsyeshme, sigurimi i rrugëve të transportit dhe siguria në rrjedhjen e energjisë me origjinë fosile, tha: ”Kjo gjendje tregon se vendet e OPEC, Lindja e Mesme, Kaukazi, Azia Qendrore, etj, do të jenë të rëndësishme në prodhimin e energjisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Turqisë në fjalën e tij në Kongresin e 23-të Botëror të Energjisë, në të cilën Anadolu Agency është partnere e komunikimit global, tha se do të ketë gjithsej 65 panele në të cilët do të referojnë 250 persona. Këto referues do të shpalosin idetë dhe përvojat e tyre dhe se në këtë kongres do të ketë një komunikim pikëpamjesh të cilat do ti japin drejtim të ardhmes si dhe do të shpalosin parashikimet e tyre në lidhje me të.

Duke theksuar se ky kongres mund të jetë një shans për takime dhe deklarata të vlefshme si dhe finalizime të marrëveshjeve të rëndësishme, Yıldırım në vijim të fjalës së tij tha ky kongres mund të jetë me plot kuptimin e fjalës “olimpiada të energjisë”.

“Bëmë një analogji, dhe të sjellim vazhdimin e saj. Normalisht në olimpiada përdoret slogani ‘më i fortë, më i shpejtë dhe më lartë’. Si rrjedhojë olimpiada e energjisë shpresoj që të na bëjë më të fortë në përdorimin e energjisë, më të shpejtë për dërgimin e saj për përdoruesit. Por në lidhje me çmimet të mos na çojë shumë lart. Të kemi një stabilitet. Them se pritshmëritë e të gjithave janë në këtë drejtim”, tha kryeministri turk në vijim të fjalës së tij.

Ndërkohë në vijim, duke vënë theksin tek siguria e kërkesës dhe burimeve të energjisë Yıldırım u shpreh: ”Besoj se siguria e kërkesës dhe burimeve të shumta të energjisë si dhe çmimi i pranueshëm, janë interesa kombëtare për çdo vend tashmë. Kjo gjë nuk ka të bëjë vetëm me ekuilibrat ekonomikë, rritjen ekonomike apo mirëqenien e një vendi, por ndikon në marrëdhëniet mes vendeve dhe zgjedhjen në politikën e ardhshme, politikat e mbrojtjes, etj. Shkurtimisht ndikon në paqen rajonale dhe globale. Në këtë kuadër siguria dhe mirëqenia janë të lidhura ngushtë me energjinë.”

Kryeministri turk vuri theksin tek rëndësia e një koordinimi ndërkombëtar në përputhje me interesat e përbashkëta.

Turqia e dyta në botë për rritjen në sektorin energjitik

Ndërsa në lidhje me gjendjen e sektorit të energjisë në Turqi Yıldırım tha: “Turqia është e dyta në botë për nga rritja në fushën e energjisë. Pas Kinës ne jemi vendi i dytë. Rritja e kërkesës për energji është pothuajse tre herë më e lartë se ajo e mesatares së botës. Në vitin 2023 kërkesa jonë për energji do të jetë 2 herë më shumë se aktualja. Për këtë arsye Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në stabilizimin, rritjen e sigurisë dhe rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse të botës.”

”Turqia është duke bërë përpjekje maksimale për kthimin e vendit në një qendër tregtare të energjisë. Ne jemi duke mbështetur projekte për depozitimin, transportin dhe sigurinë e gazit. Projektet tona në këtë drejtim janë duke vazhduar me shpejtësi”, ka thënë kryeministri. Ai më pas ka shtuar: ”Në 10 vitet e fundit kemi rritur fuqinë tonë prodhuese të energjisë në dy herë. Në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike kemi bërë përpjekje për të shtuar burimet e energjisë së rinovueshme.”

 

Artikulli paraprakFshatari me këpucët e vjetra (tregim emocional)
Artikulli vijuesDallaveret hebraiste të Thacit me Banka dhe këshilltari i tij Izraelit i quajtur "Ari".