Edhe Nokia me orë të mençur

Me sa duket, orët e mençura janë një trend i ri në industrinë e pajisjeve mobile. Aktualisht, Samsung e ka një të tillë, sikurse Sony, Google, dhe Apple, ndërsa tani kësaj liste do t’i shtohet edhe kompania finlandeze Nokia, me modelin e saj të ri të orës, Nokia Smart Watch.

Dhe për ta konfirmuar këtë informacion, Engadget sot ka zbuluar patentën e re të Nokia-së për orën e mençur, e cila thuhet se është modulare e cila mund të personalizohet.

Natyrisht, ora e re e Nokia-së bazohet në sistemin operativ të Microsoft, Windows Phone, siç edhe është parë në prezantimin e patentës, edhe pse forma e orës thuhet se mund të jetë me dizajn tjetër nga ajo që është parë në patentë.

Edhe pse Microsoft e ka blerë kompaninë finlandeze e cila dikur ishte lider global në prodhimin e telefonave mobil, ajo do ta mbajë emrin e kompanisë Nokia, si dhe do të prodhojë pajisje mobile nën markën e Nokia-së, linjën Lumia.

Pritet që gjatë vitit të ardhshëm në treg të paraqiten shumë orë të mençura, ndërsa mbetet të shihet se sa do të jenë ato të popullarizuara./ilirida/kohaislame

Artikulli paraprakLibi: Vritet komandanti i policisë ushtarake
Artikulli vijuesSHBA: Kandidati për Nju Jorkun propozon ditë pushimi edhe për festat Islame