Nuk ka qenë rastësi, dhe as një manovër për “t’u dukur”, qëndrimi i ashpër i kryeministrit shqiptar ndaj kandidatit republikan për president të SHBA-ve, Donald Trump-it.
I dalë me një ngarkesë politike të rritur nga takimi me presidentin Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, Rama deklaroi se qëndrimi i tij i përsëritur ndaj Trump-it dhe Trampëve të tjerë vjen jo si analist apo komentator, por si kryeministër i një vendi me shumicë myslimane. Vjen si kreu i qeverisë shqiptare, që ndjehet i fyer nga një politikan i cili shprehet hapur, pa iu dridhur qerpiku, se “operacioni i SHBA-ve për bombardimin e ushtrisë së Millosheviçit për të çliruar Kosovën ishte një gabim”.
“Si mund të rri indiferent ndaj deklaratave të tilla si kryeministër i Shqipërisë, dhe, mbi të gjitha, kur pyetesh?
Unë jam kryeministër i Shqipërisë, që ka myslimanë me të cilët Amerika duhet të jetë krenare.
Heroi ynë që u vra në frontin e përbashkët është mysliman. Si mund të lejohet një personazh i tillë të hedhë baltë mbi myslimanët me një injorancë të paimagjinueshme?
Nga ana tjetër, ai ka mbajtur qëndrime të papranueshme mbi Ballkanin, e mbi qëndrimet e Shtëpisë së13012834_10153643147321523_3900499283143057429_n Bardhë dhe DASH-it ndaj Millosheviçit, pasi, sipas Trump-it, Shtëpia e Bardhë dhe administrata amerikane duhej të mbështesnin Millosheviçin dhe nuk duhej t’i ndihmonin shqiptarët. Kemi të drejtën për të shprehur shqetësimet tona, dhe nëse ky do të bëhet president i Amerikës, do të doja që politika shqiptare të ishte e qartë mbi këtë,” ka deklaruar kreu i qeverisë shqiptare.
Duke folur pas daljes nga Shtëpia e Bardhë në emisionin Top Story të Sokol Ballës, Edi Rama bëri të ditur se nisma më e re e tij për mësimin e fesë në shkolla ka marrë edhe përkrahjen e presidentit amerikan.
Në fakt, edhe në njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë theksohet hapur se, “presidenti dhe zëvendëspresidenti i SHBA-ve kanë përkrahur qëndrimin e qeverisë shqiptare për të promovuar tolerancën fetare”.
Ndërkaq, vetë Rama tha se në shkolla “do t’u mësojmë se kush janë myslimanët, të krishterët, etj. Kjo do të kërkojë shumë kohë, punë e analiza”.
“Ne duhet të fillojmë, dhe në këtë qasje them se Shqipëria është në avangardë.
Në takimin me USAID-in u ra dakort që kjo organizatë të merret me financimin e këtij procesi. Nuk është çështje as e paralelizimit, as e mbivendosjes apo e interferimit mes njerëzve që shërbejnë në vendet e kultit.
Kjo do t’u shërbejë vlerave tona, kulturës sonë, dhe për të mos ia hedhur njëri-tjetrit me padijen tonë. Shqipëria nuk ka vuajtur deri më sot, dhe duhet të bëjmë çmos që kjo rehati të mos prishet.
Ne nuk kemi jetuar në botën ku fëmijët zhyten në oqeanin e pafund të Facebook-ut, ku ndeshesh me lloj-lloj peshkaqeni. Duhet të bëjmë çmos që fëmijët e Shqipërisë të kuptojnë se ky është një thesar i madh dhe ta mbrojnë duke qenë të pajisur me dije, që askush të mos i kthejë në ushtarë të ISIS-it apo të shkojnë pas Trampëve që duan t’i fusin në telashe me njëri-tjetrin.” /tesheshi.com/