Ekonomia si një zgjidhje për të ulur tensionet në Kosovën e veriut

Një zyrtar i Kosovës sugjeron një zonë të lirë ekonomike në Kosovën e veriut, por ekspertët thonë se shteti i së drejtës është kusht parapraki për përmirësim në zonën e ndarë etnikisht.

Zëvendës/Kryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli po sugjeron një zonë të lirë ekonomike në Kosovën e veriut si një hap drejt uljes së tensioneve vendore.

“Do të bëja çmos për të mundësuar funksionimin e zonës së lirë ekonomike, nga e cila komuniteti ndërkombëtar do të përfitojë, pasi paratë që shpenzon për policinë mundet, në vend të kësaj, të investohen në prodhim,” tha Pacolli, që zotëron disa biznese private, në një intervistë me Vesti , me qendër në Frankfurt.

Ai shtoi se si shqiptarët, ashtu edhe serbët do të përfitojnë nga kjo zonë, por shtoi se propozimi nuk është diskutuar ende, ndonëse e propozoi disa vjet më parë si një mjet ekonomik për një zgjidhje për Kosovën e veriut.

“Gjatë 20 ose 30 viteve do të krijojë mijëra vende pune të reja çdo vit,” tha Pacolli, duke shpjeguar se ndërsa prodhuesit në Gjermani paguajnë tani deri në 50% taksa, zona pa taksa do të ishte 5%.

Seb Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikës Ballkanike, tha për SETimes se ndonëse rritja e ekonomisë mund të ndihmojë në uljen e tensioneve, duhet siguruar shteti i së drejtës.

“Një zonë e lirë ekonomike mund të ndihmojë të ulen tensionet në Kosovën e veriut, por vetëm nëse krijohjet së bashku me shtetin e së drejtës … Ky rajon ka standartin e jetesës në Kosovë e është gjithashtu mbështetur [ekonomikisht] nga rrogat e dyfishta të punonjësve publikë serbë [nga funksionet e qeverive të Kosovës e Serbisë],” tha Bytyçi.

Bytyçi pranoi se ekonomia është një faktor i rëndësishëm, por ndërtimi i lidhjeve civile nëpër ndarjen etnike duhet të jetë një përparësi. Ai tha se duhen fajësuar politikat nacionaliste, jo ekonomia.

“Bashkëpunimi ekonomik mes serbëve e shqiptarëve tashmë ekziston, por nuk i ka zbutur tensionet, veçanërisht në sferën publike, kryesisht sepse politikanët përdorin politikat etnike si një mënyrë populiste për të fituar simpati. Nuk mund të fajësojmë tensionet [për] mungesën e zhvillimit ekonomik, sepse e dimë se politikanët kanë përdorur ndërmarrjet publike për të ndërtuar e mbajtur barrikada dhe të rinj nga Serbia erdhën për të mbajtur barrikadat në Kosovën e veriut,” tha Bytyçi.

Olivier Ivanoviç, sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën që po largohet, tha se shqiptarët në Prishtinë duhet të pranojnë se veriu është ndryshe nga jugu e duhet të ketë programe të veçanta.

“Veriu i Kosovës do të jetë diçka e veçantë, gjë që do të pasqyrohet në atë se do të jetë jo zonë doganore,” tha Ivanoviçi për gazetarët në Serbi.

“Eshtë … e qartë se në parim të gjithë shqiptarët besojnë se veriu do të jetë disi ndryshe,” tha ai, duke shtuar se kjo ide “tregon veçantitë e veriut që Pacolli i pranon, sepse ky është realiteti e duhet të përkthehet në disa përkufizime ligjore e politike,” tha Ivanoviçi.

Qytetarët në Mitrovicë kanë pikëpamje të ndryshme mbi rezultatin politik të propozimit të Pacollit, por bien dakort se problemet ekonomike kanë nevojë për vëmendje.

Xhemshit Kasumi, pronar i një furre buke nga Mitrovica, tha se ekonomia mund të ndihmojë që të bashkojë qytetin siç bëri më parë.

“Të gjithë ne, serbë e shqiptarë, punonim bashkë në fabrika e në treg këtu, nuk pati kurrë probleme derisa erdhi Millosheviçi e filloi lufta. Njerëzit janë të papunë e kjo i bën të reagojnë negativisht ndaj njëri-tjetrit e të mendojnë se është pala tjetër që e ka fajin për gjendjen ekonomike,” tha ai për SETimes .

Dragomir Rashiç, një piktor, tha për SETimes se ideja e Pacollit ka vlerë.

“Të gjithë jetojnë keq, serbët e shqiptarët; ekonomia nuk ka ndryshuar e shpresoj se kjo ide do të bëhet realitet, por nuk mendoj se ata në Prishtinë e Beograd do t’a mbështesin këtë, sepse nuk jetojnë këtu e nuk kanë problemet ekonomike që kemi,” tha ai./set

Artikulli paraprakMuja intervistohet nga Prokuroria e EULEX-it
Artikulli vijuesITALIA DREJT SISTEMIT GJYSMËPRESIDENCIAL