Portalb ka siguruar dokumentin nga Këshilli i inspektorateve, ku vërtetohet se Inspektorati shtetëror për vetëqeverisje lokale dhe Inspektorati shtetëror administrativ kanë kryer vëzhgim të koordinuar në punën e Komunës së Butelit, pas ankimimeve të Bashkimit Demokratik për Integrim në lidhje me ndërtimin e kryqit në të njëjtën komunë.
Nga dokumenti del se Inspektorati shtetëror për vetëqeverisje lokale dhe Inspektorati shtetëror administrativ kanë kryer vëzhgim të koordinuar në punën e Komunës së Butelit dhe kanë verifikuar se nuk ka parregullsi në punën për ndërtimin e kryqit në Butel.
Kujtojmë se për ta ndaluar ndërtimin e kryqit Bashkimi Demokratik për Integrim pati organizuar protesta dhe pas përfundimit të protestave u zotuan se institucionalisht do të dëshmojnë se kryqi po ndërtohet në mënyrë ilegale.
Redaksia jonë ka tentuar që për prononcim të marrë Izet Mexhitin- kryetar i Komunës së Çairit, i cili ishte edhe prijës i iniciativë për ta ndaluar procesin e ndërtimit të kryqit në Butel, por nga i njëjti nuk morëm përgjigje. Ende nuk e dimë nëse BDI është e informuar për ankimimet që dorëzoi dhe se çfarë planifikon më tutje.
Ne deklaratën e fundit për këtë rast ish ministri për Vetëqeverisjes Lokale Lirim Shabani për Portalb pat thënë se “Ne, si BDI, kemi një grup të punës që po merret me punët juridike. Inspektorati i pushtetit lokal nuk është nën Ministrinë e pushtetit lokal. Është subjekt në vete, që ka drejtori në vete dhe inspektorë në vete. Vanço Shehtanski është drejtor i këtij inspektorati. Unë kam bërë presion sa kam mundur dhe pres që brenda kësaj jave ose javën tjetër inspektorët të dalin në terren, të shkojnë në Komunën e Butelit dhe të verifikojnë procedurën. Në moment që do të ketë diçka konkrete, do ta marr vesh edhe opinioni”. (21.03.2016)
Nga ana tjetër, Todor Petrov- kryetar i Kongresit Botëror Maqedonas dhe iniciator për ndërtimin e kryqit në Butel, në deklaratën e tij për Portalb tha se punët përkohësisht janë ndërprerë për shkak shkatërrimit dhe që iu bë gurthemelit më 4 mars, si dhe mos-ndihmesës së policisë.
“Ndërtimet do të vazhdojnë kur do të sigurohen kushtet. Vlerësoj se protesta kundër kryqit ishte e panevojshme. Kryqi sa është i maqedonasve është edhe i shqiptarëve, ka edhe shqiptarë orthodoksë dhe katolikë”, tha për Portalb Todorov.
Ai ka thënë se edhe nga organet kompetente shtetërorë është vërtetuar se dokumentacioni për ndërtimin e kryqit është në përputhje me ligjin dhe se nuk bëhet fjalë për objekt ilegal.
“Dhe jam i sigurt se për këtë janë të njoftuar edhe në BDI, ashtu siç jemi njoftuar edhe ne”, theksoi Todorov.
Dokumenti arsyeton edhe heshtjen e BDI-së. Nga aty ende nuk ka përgjigje siç u zotuan se për cfarëdo përgjigje të organeve kompetente do ta njoftojnë opinionin./Portalb