Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator, sipas së cilave kishte rënie në eksport dhe rritje në import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 2.2% në muajin shtator, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 211 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 206,4 milionë euro në vitin 2015.
Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me 9.3%. ASK thotë se eksporti i mallrave në muajin shtator kishte vlerën 21,6 milionë euro, ndërsa importi 232,6 milionë euro, ku është një rënie prej (-11.2%) për eksport dhe një rritje prej 0.8% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 32.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 11.6% e përbëjnë produktet minerale; 11.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.9% e përbëjnë produktet bimore; 3.3% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 2.9% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.1% të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.5% e përbëjnë produktet minerale; 10.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.3% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj”, thuhet në raportin e ASK-së.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së, sipas ASK-së, arritën në 5,8 milionë euro, ose rreth 27.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-21.9%). Kurse, partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.2%), Holanda (4.7%), Bullgaria (3.6%), Itali (2.5%).
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së janë rreth 101,6 milionë Euro, ose 43.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë janë nga: Gjermania (12.3%), Italia (6.9%), Greqia (5.6%), Polonia (2.5%), etj.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin shtator 2016 arritën në 10,6 milionë euro, ose 49.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2.3%). Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (19.3%), Maqedonia (15.9%), Serbia (7.5%) dhe Bosnje e Hercegovina (3.4%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin shtator 2016, arritën në 66,0 milionë Euro, ose 28.4% e importeve të përgjithshme, ku kishte një rënie prej (-8.2%). Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.2%), Maqedonia (6.0%), Shqipëria (4.1%) dhe Bosnje e Hercegovina (2.5%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 5,1 milionë Euro, ose 23.8%. Ndërsa, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë: Zvicra (5.5%), dhe India (2.3%).
Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 65,0 milionë euro, ose 27.9%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup janë: Turqia (9.0%) dhe Kina (8.9%)